E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tatimet çojnë për faliment klubin e futbollit të Elbasanit

BIZNESET/ Flet Sejdini: Nuk kam asnjë dijeni për vendimin e tatimeve. Është e vërtetë që Elbasani del me humbje


ELBASAN - Dega e Tatimeve Elbasan ka dërguar për faliment, mes disa firmave të tjera, edhe Klubin e Futbollit "Elbasani". Në listën e subjekteve që rezultojnë me humbje prej tre vjetësh, futbolli i Elbasanit duket se do të marrë një tjetër goditje pas rënies nga kategoria superiore.


Kështu kreu i Tatimeve, Skënder Daja, ka bërë publike dje firmat që rezultojnë me humbje të theksuara, të cilat në bazë të ligjit për falimentet nëse rezultojnë të tilla për tre vjet rrjesht atëherë dërgohen në gjykatë për nisjen e procedurave për shpalljen e falimentimit. Rasti i KF Elbasanit, për vetë specifikën si një shoqëri aksionere, por edhe për humbjet e regjistruara vit pas viti pritet të trondisë jo pak futbollin e qytetit.


Kryebashkiaku Sejdini


Kreu i Bashkisë së Elbasanit, e cila disponon 33% të aksioneve, si dhe aksionin e Artë që ka lidhje me emrin dhe stemën, i pyetur mbi falimentin tha se nuk kishte asnjë dijeni mbi këtë procedurë. "Nuk kam asnjë njoftim zyrtar nga Dega e Tatimeve Elbasan mbi nisjen e procedurave të falimentit.


Është e vërtetë që Klubi i Futbollit del prej tre vitesh me humbje. Bashkia ka financuar disa herë për të bërë të mundur kontratat dhe shpenzimet e tjera, por kjo nuk mund ta ndalë buxhetin me humbje të Klubit të Futbollit, e cila është një shoqëri aksionere. Nuk mund të kundërshtojmë këtë proces, pasi është ligji që e dikton. Bashkia Elbasan disponon aksionin e Artë që përfshin stemën dhe emrin.


Po kështu asetet janë pronë e Bashkisë, dhe jo e Shoqërisë Aksionere. Të vetmet asete të kësaj shoqërie janë aksionet".


Aksioneri më i madh i sh.a. Arben Laze disponon 44 për qind të aksioneve, Bashkia e Elbasanit 33,3 për qind, ndërsa pjesa tjetër disponohet nga ortaku Gentian Çërraga. Prej gjashtë vitesh të deklaruara nga harxhimet e presidentit Laze janë afro 123 500 000 lekë. Bashkia ka harxhuar 805 milionë dhe Çërraga gati 195 milionë.


Humbjet e deklaruara në pasqyrën përmbledhëse për KF Elbasanin janë rreth 60 000 000 lekë. Për këtë shoqëri, si dhe për firmat e tjera, pritet të vazhdojë procesin e falimentit gjykata e shkallës së parë Elbasan.


Falimentojnë edhe institucionet shtetërore


Janë 20 firma që tashmë do të duhet të përballen me procedurat e falimentimit. Mes këtyre firmave ka edhe institucione të varura nga shteti, një ndër të cilat është edhe Hidrocentrali i Banjës që tashmë i kanë mbetur vetëm rrënojat.


Por surpriza e kësaj liste është edhe një institucion shtetëror që ka lidhje me furnizimin me ujë të fshatrave. Kështu procesi i falimentit nis edhe për Ujësjellësin Fshat që i detyrohet shtetit rreth 40 000 000 lekë.


Nisja e procesit të falimentit rrezikon mbylljen e kësaj ndërmarrjeje dhe krijimin e problemeve për furnizimin me ujë të fshatrave në rrethin e Elbasanit.

Ja subjekte që tatim-taksa ka dërguar në Gjykatë:
1- NN H/C Banjë me humbje 1 465 021 lekë
2- MA&MAK 188 577 lekë
3- Ndërmarrja e Seleksionimit të Metaleve 2 292 243 lekë
4- Rruga Elbasan 3 089 238 lekë
5- Ndërmarrja e Seleksionimit 1 929 607 lekë
6- Uzina e Nikel Kobaltit 7 515 962 lekë
7- Ndërmarrja e Furnizimit 717 779 lekë
8- Ujësjellësi Fshat 4 030 733 lekë
9- Dushku/E 4 427 309 lekë
10- Ariel 200 178 lekë
11- Qendra Balneare Llixhë 875 463 lekë
12- Gostima 2003 356 846 lekë
13- Egnatia Grup 12 085 337 lekë
14- FK Elbasani SH.A. 57 641 628 lekë
15- Shqiponja G 961 582 lekë
16- Haka 272 163 lekë
17- Kuqja Oil 16 800 lekë
18- Luli 06 375 504 lekë
19- Ago 2006 96 984 lekë
20- Kuqja Oil tregti karburanti 137 395 lekë


"E premtja e zezë", 4 të vdekur në 4 aksidente


Dy aksidente me pasojë vdekjen janë regjistruar në qarkun e Vlorës gjatë ditës së premte. Arjan Qesko, 45 vjeç, është aksidentuar në rrugën Llogora-Palasë, ndërsa automjeti që ai drejtonte ka bërë disa rrokullisje për rreth 800 metra dhe më pas makina është ndalur vetë.


Automjeti tip "Opel Astra" me targa greke, ka rënë nga një kthesë në një humnerë e më pas drejtuesi i saj ka gjetur vdekjen pa pasur asnjë mundësi shpëtimi. Burime nga policia bëjnë të ditur se makina me targa greke ka bërë rrokullisje rreth 800 metra, ku ka kapërcyer edhe një pjesë rruge dhe më pas ka ndaluar. Trupi i viktimës është gjetur rreth 200 metra larg automjetit.


Makina tip "Opel astra" i bardhë është shkatërruar totalisht. Bëhet e ditur se shkak për aksidentin dyshohet të jetë pagjumësia e drejtuesit të mjetit, humbja e kontrollit të automjetit, si dhe mjegulla tejet e dendur.


Gjithashtu në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në vendin e quajtur fusha e Drashovicës, automjeti tip "Skoda" me targa FO 045492 ka dalë nga rruga dhe është përplasur në disa gurë. Si pasojë e këtij aksidenti ka gjetur vdekjen drejtuesi i mjetit, shtetasi Myrdar Cakuli, 41 vjeç, me banim në fshatin Vajzë të Vlorës.


Të mbërritur në vendngjarje, ekspertë të policisë kanë nxjerrë si shkaqe të aksidentit shpejtësinë e madhe të mjetit, si dhe devijim për shkak të rrugës së keqe në të cilën po udhëtohej.


Po kështu dy vetë kanë gjetur vdekjen në dy aksidente të ndodhura në rrethin e Lushnjës ndërsa dy vetë janë plagosur.


Aksidenti i parë ka ndodhur në orën 21:30 të së enjtes në rrethrrotullimin e Savrës. Mësohet se gjatë kësaj kohe, shtetasi Gjergji Kola ka qenë duke lëvizur në aksin Fier- Lushnjë në drejtim të Tiranës.


Teksa ka hyrë në rrethrrotullim, për shkak të shpejtësisë ai ka humbur kontrollin e automjetit duke u përplasur me bankinën e rrugës dhe duke përfunduar në një kanal. Policia e Lushnjës, pas njoftimit të marrë ka mbërritur në vendin e ngjarjes.


Ajo ka çuar të plagosurit në spital, ndërsa 42-vjeçari Kola është dërguar në morg për shkak se kishte ndërruar jetë. Të plagosur kanë mbetur shtetasit Luigj Kola, 40 vjeç, dhe Fatmir Deda, 24 vjeç, të cilët ishin pasagjerë.


Ndërsa aksidenti i dytë ka ndodhur në rrethrrotullimin e Çermës ku ndërroi jetë një shtetase, bashkëshortja e drejtuesit të automjetit. Ngjarja ndodhi rreth orës 05:10 në aksin Lushnjë-Rrogozhinë.


Automjeti i drejtuar nga Ilia Kadujanis, 60 vjeç, me kombësi greke, duke lëvizur me automjetin e tij tip "Volvo" me targa YET 8785, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me bordurën. Si pasojë ka gjetur vdekjen bashkëshortja e tij shqiptare A.C., 38 vjeçe. Sipas policisë, drejtuesi i mjetit ka mbetur i plagosur ndërsa ndaj tij është ngritur akuza e "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›