Zihen për mësimet, e qëllon me thikë në oborr
Një nxënës 14-vjeçar është plagosur me thikë nga shoku i tij i klasës pas një sherri banal në një shkollë 9-vjeçare të kryeqytetit. Në ditën e tretë të fillimit të vitit të ri arsimor, shkolla “Bajram Curri” është përgjakur pas një përleshjeje me armë të ftohta mes dy nxënësve të klasës së nëntë. Sipas burimeve nga policia, ka mbetur i plagosur 14-vjeçari me inicialet E.P. Ai u qëllua nga shoku i tij i klasës, i cili u ndalua më pas nga policia. Ndaj të miturit të dëmtuar u dha ndihma e parë duke e dërguar atë në Spitalin Ushtarak. Ndërkohë që pas ngjarjes reagoi menjëherë edhe Policia e Qarkut të Tiranës, e cila vendosi që të bashkëpunojë me Ministrinë e Arsimit për të shmangur në të ardhmen ngjarje të tilla dhe do të angazhojë punonjës të saj pranë institucioneve arsimore 9-vjeçare. Përplasjet midis nxënësve dhe plagosjet me armë të ftohta të tyre po kthehen në një shqetësim për shoqërinë shqiptare, ndaj dhe kjo ka bërë që Ministria e Arsimit dhe policia të kthejnë vëmendjen dhe të marrin masa për të parandaluar këtë problem.
Ngjarja
Rreth orës 10:30, gjatë kohës së pushimit të madh, nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Bajram Curri” kanë qenë dëshmitarë të një ngjarjeje të dhunshme. Ata kanë parë shokun e tyre të rrëzohet në tokë, duke bërtitur i gjakosur, ndërsa ishte qëlluar me thikë pas një zënke. Autor i saj ishte shoku i tij i klasës, bashkëmoshatari me inicialet R.E. Nxënësit tregojnë se ata kanë parë të dy 14-vjeçarët që të shanin njëri-tjetrin dhe më pas, njëri prej tyre ka nxjerrë një thikë që e mbante me vete dhe ka qëlluar ndaj shokut të tij. Ndaj të plagosurit me inicialet E.P. u dha ndihma e parë nga mësuesit e shkollës, duke e dërguar atë në Spitalin Ushtarak. Pas marrjes së informacionit se në shkollën 9-vjeçare “Bajram Curri”, e cila ndodhet në Kinostudio, ishte plagosur një nxënës i mitur, në vendngjarje shkuan forcat e komisariatit nr. 4. Ata ndaluan autorin e ngjarjes, ndërsa u ngrit një grup pune për të zbardhur shkaqet e saj. Sipas burimeve nga policia, të dy të miturit ishin zënë në klasë për mësimet. Konflikti mes tyre ishte lënë pezull për të vazhduar gjatë pushimit të madh, kur ata janë takuar në oborr sërish. Autori i ngjarjes është marrë nën hetim, ndërkohë që materialet i kaluan prokurorisë së rrethit.
Reagimi i policisë
Në një njoftim për shtyp, Policia e Qarkut Tiranë informon se prania e sendeve si thika apo mjete mprehëse që mund të mbajnë nxënësit e shkollave, mbetet një shqetësim për Policinë e Tiranës, si dhe Drejtorinë Arsimore Tiranë. Nisur nga kjo, të dyja këto institucione do të punojnë për të hartuar plane masash, me synim për të eliminuar këto ngjarje brenda ambienteve arsimore. Po ashtu, për mbarëvajtjen e këtij procesi mësimor, Policia e Tiranës njofton se do të angazhojë pranë objekteve shkollore punonjës policie, të cilët do të marrin masa në drejtim të mbajtjes së kontakteve me drejtuesit e shkollave dhe shërbimin e sigurisë së shkollave që kanë në territorin e tyre. Gjithashtu, do të ketë bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore, me qëllim për mosmbajtjen e sendeve të palejueshme në ambientet shkollore, nuk do të lejojnë hyrjen e personave të tjerë në ambientet e shkollave, të cilët prishin rendin e qetësinë publike, do të mbajnë kontakte të vazhdueshme me personelin mësimdhënës, në drejtim të evidentimit të nxënësve problematikë, do të bashkëpunojnë me rojet private të shkollave, nuk do të lejojnë parkimin e automjeteve apo shitësve ambulantë pranë objekteve shkollore, me qëllim parandalimin e aksidenteve apo shkeljeve të tjera të ligjit. Masa të tjera do të jenë identifikimi dhe kontrollimi i elementëve me precedentë policor, që cenojnë rendin e qetësinë publike apo kanë tendenca për kryerjen e veprave penale, si dhe do të shkëmbejnë eksperienca dhe japin mesazhe në drejtim të Policimit në Komunitet, luftës kundër drogës, alkoolit, trafikimeve të ndryshme etj.