E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata liron ish-deputetin e PD-së

Bajramaj dhe Beqiri lirohen nga burgu dhe lihen në arrest shtëpiak. Avokati: Flori ishte thjesht jurist


DURRËS - Vetëm 48 orë nga arrestimi nën akuza të rënda i ish-deputetit të PD-së, Flori Bajramaj, dhe shefit të urbanistikës së Komunës së Rrashbullit, Pasho Beqiraj, Gjykata e Durrësit i liron ata nga burgu duke u dhënë masën e sigurisë "arrest shtëpie".


Arrestimi i tyre u trumbetua me bujë nga mjetet e informacionit shtetëror duke njoftuar se në kuadër të operacionit të koduar "Shkëmbi i Kavajës" bënë të mundur kapjen dhe arrestimin e këtyre dy shtetasve.


Mbrojtja e të pandehurve teksa ka kërkuar vendosjen e masës së sigurisë "detyrim paraqitje" është shprehur se "lirimi nuk dëmton provat hetimore, pasi e gjithë dosja "Rrashbulli" është e sekuestruar dhe gjendet në dispozicion të hetimit. Askush nuk mund të zhdukë më dokumente nga arkivi i komunës për të fshehur fakte".


Gjithashtu avokati mbrojtës i ish-deputetit ka paraqitur një raport mjekësor sipas të cilit 38-vjeçari Bajramaj vuan nga një sëmundje e mushkërive dhe ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.


Në këto kushte dhe bazuar në personalitetin e tij, si dhe mundësitë që ka pasur gjatë dy viteve që ka qenë nën hetim për t'iu shmangur një mase sigurie në burg, mbrojtja kërkoi zëvendësimin e masës së sigurisë në detyrim paraqitjeje.


Togat e zeza vendosën masën "arrest shtëpie". Vepra penale "shpërdorim detyre" për të cilën akuzohen të pandehurit dënohet me masë administrative ose nga 5 ditë deri në 5 vjet burg Ndërkohë, trupi gjykues u shpreh se arresti shtëpiak i Bajramajt dhe Beqirit nuk mund të dëmtojë vijueshmërinë e hetimit (prishjen e provave), pasi fakti që hetimi vijon në fshehtësi prej më shumë se 24 muajsh ka bërë që në dosjen "Rrashbulli" prokuroria të ketë në dispozicion të gjitha provat e mundshme. Ndërkohë, hetimi është shtrirë tek 12 anëtarët e Këshillit të Rregullimit të Territorit të komunës së Rrashbullit, të cilët kanë vijuar seancën e deponimeve në hetuesi.


"Klienti im ka qenë një jurist i thjeshtë e asgjë më shumë, ndërsa vendimet për lejet e ndertimit kanë qenë vendime kolegjiale",- ka deklaruar avokati mbrojtës i Flori Bajramit pas dhënies së vendimit nga gjykata duke kërkuar pafajësinë e klientit të tij. Ish-deputeti i PD-së akuzohet se në kohën që ishte anëtar i Këshillit Teknik të komunës Rrashbull ka dhënë leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin e urbanistikës. M.Brunga

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›