Studentët "pushtojnë" Universitetin e Vlorës
KONFLIKTI/ Me gjithë reagimin e ministrit të Arsimit, institucioni i arsimit të lartë nuk ka pranuar regjistrime
Është dashur ndërhyrja e policisë në mënyrë që studentët fitues të largoheshin nga ambientet e universitetit
VLORË - Studentët fitues me mesatare nën 6 kanë "pushtuar" dje Universitetin e Vlorës pas heshtjes nga ky institucion lidhur me regjistrimin e tyre në këtë institucion.
Me gjithë deklaratën zyrtare të dhënë nga Ministria e Arsimit të enjten se të gjithë personat e shpallur fitues nga ana e saj do të regjistroheshin nga të gjitha Institucionet e Arsimit të Lartë në vend, në universitetin "Ismail Qemali" një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Si rrjedhojë, studentët me mesatare nën 6, pas pritjes kanë hyrë me forcë në ambientet e universitetit duke kërkuar takime me personat përgjegjës në mënyrë që të vijonte regjistrimi i tyre. Për rreth 2 orë ata kanë qëndruar brenda universitetit, ndërsa është dashur ndërhyrja e policisë për të realizuar largimin e tyre nga këto ambiente.
Kanë qenë dy furgona të policisë të mbërritura në vendngjarje, si dhe vetë shefi i komisariatit të Vlorës, i cili ka dashur të qetësojë gjendjen në mënyrë që të mos kishte konflikte të dhunshme. Pas bisedës së qetë, studentët kanë rënë dakord që të largohen nga universiteti dhe të shkojnë në Tiranë për të protestuar para Ministrisë së Arsimit për të drejtën e tyre.
Ndërkohë, vetë ministri i Arsimit, Tafaj i cili sapo ka marrë detyrën, ka pohuar se të gjithë kandidatët e shpallur fitues do të mund të regjistrohen në shkollë. "Lista e kandidatëve që ka nxjerrë Agjencia e Pranimit në shkollat e larta, për fazën e parë, është listë zyrtare dhe është e detyrueshme për t'u zbatuar nga çdo Institucion i Arsimit të Lartë publik.
Unë e bëra deklaratën dhe të jeni të sigurt që rektori i Universitetit të Vlorës do të bashkëpunojë me ministrinë dhe nuk do mbetet asnjë student i paregjistruar", tha ministri Tafaj. Por ndërkohë, vetë rektori i këtij universiteti ndodhet jashtë vendit dhe nga ky institucion nuk ka pasur asnjë reagim për deklaratën e bërë nga Ministria e Arsimit.
Vendimi i marrë një vit më parë nga senati i universitetit të Vlorës përcaktonte se nuk do të regjistrohej në këtë institucion asnjë maturant që kishte mbaruar me mesataren nën 6. Deri në ditën e regjistrimit nga MASH-i nuk kishte pasur një deklaratë lidhur me këtë vendim.
Ndërkohë dje studentët e shpallur fitues nga ministria, por që nuk janë lejuar të regjistrohen nga strukturat e Universitetit të Vlorës kanë hyrë me forcë në këtë institucion dhe kanë kërkuar që të takohen me drejtues të tij, pasi askush nuk po u jepte ndonjë përgjigje.
Rreth dy orë ata kanë qëndruar Brenda ambienteve deri në ndërhyrjen e policisë, e cila paqësisht i ka larguar. Pritet që studentët fitues sot të paraqiten para ambienteve të Ministrisë së Arsimit për të fituar të drejtën e tyre për arsimin e lartë.
Studentët e juridikut kërcënojnë me grevë urie
Studentët e degës së juridikut të universitetit "Ismail Qemali" Vlorë kanë shpallur dje ditën kur do të futen në grevë urie, nëse ende nuk do të marrin një përgjigje nga ana e rektoratit të Vlorës për diplomimin e tyre.
Në një komunikim me mediat, studentët thanë se do të jetë data 22 shtator, e cila lihet si afati i fundit për dhënien e përgjigjes zyrtare nga ana e universitetit, ku ata kanë ndjekur studimet. Studentët u shprehën të shqetësuar për mungesën e vëmendjes që kanë pasur nga ana e drejtuesve, si dhe të një përgjigjeje konkrete zyrtare.
Përshkallëzimi i protestës së tyre do të kulmojë në grevën e urisë, e cila nëse nuk do të marrin ende përgjigje, do të jetë pa afat. Shqetësimi nëse do të kenë apo jo një diplomë të denjë për të përfaqësuar shkollimin e tyre universitar, i ka detyruar studentët e juridikut të enden prej disa javësh dyerve të rektoratit në Universitetin e Vlorës.
Diploma e tyre tashmë është "përkthyer" në një certifikatë ku thuhet se ata janë "njohës ligjesh" në fund të studimeve të kryera. Studentët thanë se janë të vendosur për të marrë atë çka iu takon, ndërsa ende presin një përgjigje përfundimtare në favor të tyre, përndryshe do të futen në grevë urie.
Studentët kanë protestuar disa herë, madje edhe para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, duke u shprehur të indinjuar ndaj indiferencës me të cilën po përballen. A.Peçi