Ekstradohet i dënuari me shtatë vjet burg, se vodhi 17 mijë lekë
Një 40-vjeçar nga Durrësi, i dënuar me shtatë vjet burg për vjedhje, është ekstraduar ditën e djeshme nga Greqia. Gëzim Cingu është dërguar në qeli, ku do të vuajë dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare. Brenda pak ditësh do të njihet edhe me vendimin ndaj tij, pasi i është dhënë në mungesë, ku për 17 mijë lekë të vjedhura do të vuajë shtatë vjet burg. Policia e Shtetit deklaroi zyrtarisht se ekstradimi i tij u bë paradite, rreth orës 08:15, ku dy oficerë të Interpolit e sollën nga Athina drejt Rinasit. Nga dosja penale në ngarkim të tij mësohet se Gjykata e Durrësit, me vendimin e datës 26 prill 2006, e ka dënuar atë me 7 vjet burg për kryerjen e veprës penale të “vjedhjes”, e kryer në bashkëpunim. Gjatë shqyrtimit gjyqësor ka rezultuar se më datë 24 tetor të vitit 2003, rreth orës 23:30, në qytetin e Durrësit, Gëzim Cingu, në bashkëpunim me shtetasin Agim çerma, kanë shkuar në një studio pikture të quajtur “Currila” dhe pasi kanë thyer derën e jashtme, kanë vjedhur sende të ndryshme në vlerën 17 mijë e 650 lekë. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tiranës me Interpol-Athinën, është bërë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit të lartpërmendur.
#