Mamurras, daja merr peng nipin për para
Një 37-vjeçar është rrëmbyer nën kërcënimin e armës nga dy të afërm të tij dhe deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme fati i tij ka qenë i panjohur. Mbrëmjen e djeshme, Ndoc Ndoji është futur me forcë në një makinë nga daja i tij, Mark Gjini, dhe djali i dajës, Valmir Gjini. Ngjarja ka ndodhur në periferi të qytetit të Mamurrasit, ku ndodhet një pikë e përpunimit të mermerit, në pronësi të Ndojit. Dëshmitarë okularë i treguan policisë se dy persona, që u identifikuan si Mark Gjini, 54 vjeç dhe Valmir Gjini, 27 vjeç shkëmbyen fjalë me tone të larta me Ndoc Ndojin dhe më pas e futën atë në një makinë me ngjyrë të verdhë me targa të Laçit dhe u larguan me shpejtësi. Policia e Kurbinit u njoftua shpejt për këtë rrëmbim dhe u vu në lëvizje, duke kërkuar përforcime edhe nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Lezhës dhe nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Por me gjithë mobilizimin e policisë, rrëmbyesit arritën të humbnin gjurmët dhe policisë i mbeti të përcaktonte vendndodhjen e tyre vetëm nëpërmjet gjurmimit të telefonave celularë. Në orët e vona të mbrëmjes, policia njoftoi se kishte lokalizuar zonën ku mbahej pengu, por nuk kishte arritur ende gjente vendndodhjen e saktë. Rreth orës 22:00, pasi kishin mësuar se e gjithë policia e Lezhës po i kërkonte, Mark Gjini ka pasur një lidhje telefonike me një televizion të Tiranës dhe ka deklaruar se ishte duke pirë një kafe me nipin, asgjë më shumë. Megjithatë, edhe në kohën e kësaj telefonate policia vazhdonte kërkimet. Policia sqaroi se personat e përfshirë në këtë ngjarje kishin pasur edhe më parë konflikt për shkak të një sipërfaqeje toke. Ndoc Ndoji dhe daja i tij, Mark Gjini, kishin blerë disa vjet më parë 4 dynym tokë në fshatin Fushë-Gjormë, ku banojnë. Toka ishte blerë nga të dy, por figuron e regjistruar në emër të Mark Gjinit. Megjithatë, kjo tokë është shfrytëzuar për katër vjet nga Ndoc Ndoji dhe daja i tij ka kërkuar muajt e fundit që Ndoji t’i jepte një pjesë të fitimeve të siguruara nga toka.
#