Fier, kapet prostituta dhe bashkëpunëtori i saj 82 vjeç
Policia e Fierit ka zbuluar një bazë prostitucioni në mes të qytetit dhe ka vënë në ndjekje penale një burrë 82 vjeç, i cili akuzohet si favorizues i këtij aktiviteti të paligjshëm. Efektivat e Komisariatit të Policisë së Fierit dhe seksioni i trafiqeve të paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut kanë zbuluar ekzistencën e një ambienti prostitucioni fare pranë qendrës së qytetit, në një banesë private që ndodhet në lagjen “Konferenca e Pezës”, përgjatë bulevardit kryesor.
Zbulimi i kësaj baze ka ardhur pas hetimit disajavor dhe infiltrimit të një polici, i cili u shtir si klient. Pas finalizimit të aksionit policia ka vënë në pranga punonjësen e seksit, si dhe ka vendosur të ndjekë në gjendje të lirë pronarin 82-vjeçar të mjediseve ku ushtrohej prostitucioni. I moshuari akuzohet se merrte 20 për qind të fitimeve të prostitutës.
Policia e Fierit njoftoi se ka prangosur për herë të dytë një 39-vjeçare nën akuzën e “ushtrimit të prostitucionit”, ndërsa ka nisur procedim penal në gjendje të lirë për një 82-vjeçar që bashkëpunonte me të.
Ka qenë një survejim disajavor ai që ka vënë në pranga 39-vjeçaren Miranda Sh., banuese në qytetin e Fierit. Efektivë të sektorit kundër trafiqeve të paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier pohuan se 39-vjeçarja është arrestuar edhe më parë për të njëjtën arsye. Ajo është arrestuar përpara dy vjetësh për të njëjtën akuzë dhe më pas është lënë e lirë. Ndërkohë, informacionet e fundit kanë çuar grupin hetimor në gjurmët e vazhdimësisë së veprës penale nga ana e kësaj shtetaseje.
Pasi kanë infiltruar një efektiv policie në radhët e “klientëve” të saj, është zbërthyer çdo detaj i aktivitetit të jashtëligjshëm. 39-vjeçarja Miranda Sh., kishte si strehë prostitucioni personal një banesë në lagjen “Konferenca e Pezës” në Fier, pronar i së cilës është 82-vjeçari Rrapo Misha. Ky i fundit, pasi e ka kthyer banesën e tij në çerdhe të prostitucionit për 39-vjeçaren, merrte si shpërblim 20 për qind të fitimeve të saj. Të njëjtat burime brenda grupit hetimor bëjnë me dije se 39-vjeçarja merrte për çdo akt seksual 10 mijë lekë të reja, nga të cilat 2 mijë i kalonin pronarit të banesës.
Pasi është zbërthyer i gjithë aktiviteti i 39-vjeçares ajo është prangosur për herë të dytë për ushtrim prostitucioni, ndërsa ndaj Rrapo Mishës filloi procedimi penal në gjendje të lirë për mbajtjen e ambienteve për prostitucion.