E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet i dënuari, vrau në vitin 1991

Franca sjell në Shqipëri një të dënuar me 23 vjet burg për vrasje. Policia e Shtetit tha dje se nga Interpol-Tirana u krye ekstradimi nga Parisi i shtetasit Arjan Nallbani, 42 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Sipas të dhënave zyrtare, ekstradimi i Nallbanit, është bërë pasi Gjykata e Tiranës, me vendimin nr. 385, datë 22 maj 2001, e ka dënuar atë me 23 vjet burg për vrasje. Sipas vendimit të gjykatës, më datë 31 gusht 1991, në Tiranë, në afërsi të një lokal-bilardoje, që ndodhet në rrugën "Gogo Nushi", Arjan Nallbani ka goditur me thikë në kraharor Ilir Markun, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tiranës me Interpol-Parisin, u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i këtij shtetasi dhe vënia përballë drejtësisë për veprat e kryera. Në Aeroportin e Rinasit, ky shtetas i është dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›