E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD, i pazbardhur vendimi për shkarkimin e Gjinovefa Gabës

Që prej shkarkimit të tyre nga detyra, ka kaluar më shumë se një muaj, por Këshilli i Lartë i Drejtësisë ende nuk e ka zbardhur vendimin e marrë ndaj tre gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit në Vlorë. Zvarritja e pakuptueshme është zbuluar dje në Gjykatën e Lartë, ku Gjinovefa Gaba, Sokol Ngresi dhe Vasil Hanxhari, kishin paditur KLD-në për vendimin e marrë në dëm të tyre. Në këtë mënyrë, kolegjet e bashkuara të Gjykatës së Lartë janë detyruar që të nisin shqyrtimin e një çështjeje pa pasur në dorë të zbardhur vendimin e marrë nga organi më i lartë i drejtësisë. Por çuditë e institucionit që pretendohet se kontrollon dhe ndëshkon gjyqtarët nuk mbarojnë këtu. Në të njëjtën seancë të zhvilluar dje në Gjykatën e Lartë nuk janë paraqitur përfaqësuesit e KLD-së, ndërsa nga zyrat e këtij Këshilli është paraqitur një kërkesë për shtyrje të procesit. Togat e zeza kanë vërejtur se për këtë kërkesë nuk kishte asnjë arsye objektive dhe në këtë mënyrë ata e kanë konsideruar të pambështetur në ligj dhe kanë vijuar me shqyrtimin gjyqësor. Burime nga Gjykata e Lartë thanë për "Shqip" se kjo është hera e parë në 17 vitet e fundit që një shqyrtim gjyqësor nis pa vendimin e zbardhur dhe përfaqësuesit e KLD-së nuk paraqiten në proces.

Ish-kryetarja e Gjykatës së Apelit të Vlorës, Gjinofeva Gaba, dy gjyqtarët Vasil Hanxhari dhe Sokol Ngresi, u shkarkuan nga detyra në fillim të muajit shkurt të këtij viti. Propozimi për shkarkimin e tyre erdhi nga Ministria e Drejtësisë, ndërsa Këshilli i Lartë i Drejtësisë e miratoi këtë propozim. Në materialet e paraqitura nga ministria për procedimin disiplinor, të tre gjyqtarët akuzoheshin se kishin kryer akte dhe sjellje që diskreditonin rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit. Tre gjyqtarët e Apelit të Vlorës nuk kanë qenë dakord me vendimin e KLD-së për përjashtimin e tyre nga radhët e gjyqësorit dhe për këtë e kanë ankimuar vendimin e marrë. Ata, sipas legjislacionit në fuqi, e kanë paditur vendimin e KLD-së në Gjykatën e Lartë, ku dje nisi shqyrtimi gjyqësor i çështjes.

Kolegjet e bashkuara të Gjykatës së lartë, pasi kanë dëgjuar argumentet e paditësve, lidhur me kundërshtitë që kishin ndaj vendimit të KLD-së, kanë vendosur që të vijojnë procesin ditën e premte, në datë 28 mars. Në këtë ditë, gjykata do të presë përfaqësuesit e KLD-së për të dhënë edhe ata argumentet e tyre dhe në rast të mosparaqitjes sërish në seancë, gjykata do të vijojë me procedurën përkatëse, që është dhënia e vendimit. Paditë e tre gjyqtarëve të Vlorës janë të parat për këtë vit që shqyrtohen nga Gjykata e Lartë, pasi këto janë edhe të vetmet masa disiplinore që ka dhënë KLD-ja për këto tre muajt e parë të vitit 2008.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›