Zbardhet vrasja tek ish-ambasada jugosllave, pranga dy autorëve
Zbardhet vrasja tek ish-ambasada jugosllave që ndodhi në fillim të këtij muaji. Antikrimi i Tiranës ka mundur të prangosë dy autorët, të cilët vranë 57-vjeçarin Gëzim Shullani. Në prangat e uniformave blu përfunduan Petrit Lazaj dhe Albana Zenelaj. Sipas grupit hetimor, 57-vjeçari është vrarë prej tyre gjatë një grabitjeje. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës bënë të ditur se struktura e posaçme e departamentit të hetimit të krimit, konkretisht seksioni Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, kanë mundur të dokumentojnë sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, mekanizmit të kryerjes së saj, motivin dhe kanë gjetur provat materiale të kryerjes së krimit nga autorët. "Në këtë kuadër, specialistët e këtij seksioni mundësuan identifikimin dhe kapjen e dy autorëve të dyshuar të vrasjes së shtetasit Gëzim Islam Shullani, 57 vjeç, vrasje kjo e ndodhur më datë 4 mars 2008, në ambientet e godinës së ish-ambasadës jugosllave, në Rrugën e Durrësit në Tiranë", deklaroi policia. Ajo shtoi se ata janë Petrit Zoto Lazaj, 38 vjeç, lindur e banues në Dhëmblan të Tepelenës, i proceduar më parë për vjedhje me armë dhe Albana Osman Zenelaj, 37 vjeçe, banuese në Vlorë, e pa proceduar më parë. "Pas një hetimi të gjerë u konkludua se autorët e dyshuar të kësaj vrasjeje, kanë nxituar viktimën për të hyrë në ambientet e ish-ambasadës jugosllave për të kryer marrëdhënie seksuale me të dyshuarën Albana Zenelaj. Sipas hetimeve, kjo është bërë me qëllim grabitjen e viktimës. Të dy autorët e dyshuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi e kanë grabitur dhe plaçkitur viktimën, duke i vjedhur sendet personale dhe shumën e parave prej 4 mijë lekësh, e kanë qëlluar me mjete të forta në kokë, duke e lënë të vdekur. Policia tha se dyshohet se Petrit Lazaj, shfrytëzonte në Tiranë për qëllime përfitimi shtetasen Albana Zenelaj, e cila prostituonte kundrejt një shume të caktuar parash, duke grabitur njëherazi klientët e saj, e ndihmuar nga tutori. Pas grumbullimit të saktë të informacioneve operative mbi vendndodhjen e tyre, u mundësua ndërhyrja për kapjen e tyre, të cilët u prangosën gjatë orëve të vona të ditës së djeshme, në afërsi të Stacionit të Trenit në Tiranë. Ndërkohë, Petrit Lazaj ishte person i shpallur në kërkim nga Gjykata e Beratit, që me vendim të datës 14 dhjetor 2007, e ka dënuar në mungesë me 6 muaj burg, pasi akuzohet për vjedhje me armë.