E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papa Benedikti XVI premton: Do vij në Shqipëri

Papa Benedikti XVI do të vizitojë Shqipërinë. Dëshirën për të ardhur në vendin tonë Papa ia ka rrëfyer ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka, i cili është pritur dje paradite në audiencë në Vatikan nga Papa Benedikti XVI. Gjatë këtij takimi Papa Benedikti bekoi Shqipërinë dhe u shpreh se ka dëshirë të vizitojë së shpejti vendin tonë. Po ashtu ministri ka firmosur dje një marrëveshje me autoritetet e Rajonit të Lacios (Romë), me qëllim forcimin e mëtejshëm të sistemit të emergjencës dhe urgjencës në vend. Kjo marrëveshje do t‘i mundësojë sistemit tonë shëndetësor një sistem eficent emergjence.

Gjatë vizitës treditore në shtetin italian, ministri Ndoka, do të vijojë edhe me nënshkrimin e një marrëveshjeje me autoritetet e Spitalit "Casa del Sollievo della Soferenca" në Vatikan, synimi i së cilës është trajtimi i specializuar i fëmijëve shqiptarë në moshë pediatrike. Një marrëveshje të ngjashme, Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar tre muaj më parë edhe me Qendrën Spitalore Kërkimore Shkencore "Bambino Gesu".

Falë kësaj marrëveshjeje, dje në mbrëmje, në këtë qendër të Selisë së Shenjtë, në Vatikan, ka mbërritur për kurim të specializuar, Xhaferr Breti, një fëmijë 3-vjeçar, i lënduar nga ngjarja e 15 marsit, i cili po trajtohej në spitalin e Brindizit.

Sot ministri Ndoka do të vizitojë edhe 12 të plagosurit e tragjedisë së Gërdecit, që gjenden aktualisht për kurim në spitalet e Brindizit dhe Barit. Ndërkaq, deri dje viktimat e shkaktuara nga tragjedia e Gërdecit, të cilët janë identifikuar, janë plot 24 persona.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›