Ekstradohet në SHBA shqiptari i kërkuar

Foto ilustruese
Një person i kërkuar për një sërë veprash penale është ekstraduar sot në SHBA. Sipas burimeve të policisë, mësohet se shtetasi Hektor Kelmendi, 53 vjeç, është ekstraduar për tu përballur me drejtësinë amerikane.
Kelmendi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Washington, pasi mbi të rëndojnë një sërë akuzash për kryerjen e krimeve shumë të rënda si organizim të emigracionit ilegal, plagosje me pasojë vdekjen, gjymtim dhe vrasje, si dhe organizim të trafikut të qenieve njerëzore.
Gjykata e Rajonit Lindor të New York-ut me datë 19 maj 2010 ka lëshuar Urdhrin e arrestit për këtë shtetas, për këto vepra penale mbështetur në Kodin Penal Amerikan: “Nxitjen e të huajve për të hyrë në territorin amerikan me pasojë vdekje” një herë, “Nxitjen ndaj një të huaji për të hyrë në territorin amerikan duke shkaktuar dëmtime të rënda trupore dhe vënien në rrezik të jetës”, 3 herë, “Kontrabandë të huajsh”, 13 herë, “Nxitjen e të huajve për të hyrë në territorin amerikan”, 10 herë, “Konspiracion për të sjellë të huaj në territorin amerikan”, një herë.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Washington, u bë i mundur arrestimi i këtij shtetasi, më datë 04.10.2011, në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë, me qëllim ekstradimi drejt SHBA-së.