Vendimi, ligj i ri për shitblerjen e titujve të pronësisë
Qeveria shqiptare ka miratuar ligjin e ri për shitblerjen e titujve të pronësisë. Qëllimi i këtij ligji është të krijojë kuadrin e nevojshëm ligjor për lidhjen dhe zbatimin e marrëveshjeve të riblerjeve dhe të anasjella, të riblerjeve të titujve, në formën e kontratës së riblerjes së titujve nga subjektet pjesëmarrëse në tregun bankar dhe financiar, duke rritur efikasitetin e qëndrueshmërinë afatgjatë të zhvillimit të këtij tregu. Ligji synon zhvillimin e mëtejshëm të parimeve të përgjithshme të legjislacionit shqiptar për lidhjen, ekzekutimin dhe zgjidhjen e kontratave, nëpërmjet përcaktimit të kushteve, pasojave dhe procedurave të veçanta të ekzekutimit të detyrueshëm në rast mospërmbushjeje të detyrimeve të kontratës së riblerjes së titujve. Objekti i këtij ligji është përcaktimi i të drejtave dhe i detyrimeve të palëve në kontratën e riblerjes së titujve dhe i kushteve për zbatimin e detyrueshëm të tyre, si ndërmjet vetë palëve kontraktore, edhe nga palët e treta. Për ato çështje që nuk rregullohen nga ky ligj, palët e kontratës së riblerjes së titujve dhe marrëdhëniet juridike që lindin ndërmjet tyre, do t’u nënshtrohen dispozitave përkatëse të Kodit Civil dhe dispozitave të tjera juridike në fuqi. Ligji parashikon se “kontrata e riblerjes së titujve është kontrata e lidhur me shkrim ndërmjet palëve, me anë të së cilës “riblerësi” transferon te “rishitësi” pronësinë e një titulli ose të një sasie titujsh, në një datë dhe për një çmim të caktuar, ndërsa ky i fundit detyrohet që, në përfundim të afatit të përcaktuar në kontratë apo me kërkesë të riblerësit, t’i ritransferojë këtij të fundit pronësinë mbi të njëjtin titull ose sasie titujsh, të të njëjtit lloj a të llojit të ngjashëm, përkundrejt rimbursimit të çmimit, i cili mund të shtohet apo të pakësohet në masën a mënyrën e caktuar paraprakisht, nga palët, në çastin e lidhjes së kësaj kontrate. Ligji parashikon që objekt i kontratës së riblerjes së titujve mund të jenë të gjitha llojet e titujve të emetuar, me kusht që të jenë të tregtueshëm, sipas mënyrës së parashikuar në legjislacionin në fuqi për titujt. “Të njëjtët tituj nuk mund të jenë njëkohësisht objekt i më shumë se një kontrate riblerjeje, me përjashtim të rasteve kur është parashikuar ndryshe, me akt nënligjor të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare ose të Bankës së Shqipërisë. Kur titujt, objekt i kontratës, mbartin të drejta vote, këto të drejta i përkasin rishitësit gjatë të gjithë kohëzgjatjes së ekzekutimit të kontratës, me përjashtim të rastit kur ndërmjet palëve është lidhur një marrëveshje ndryshe për këtë qëllim.
3 Korrik 2008