E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjerohen kërkesat e PD-së për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit

Shumica propozon që ndryshimet në Rregullore të përshtaten me Kushtetutën

Eljona Ballhysa
Maxhoranca ka shtuar kërkesat për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit. E nisur thjesht si një amendim i rregullores vetëm për mënyrën e procedimit të Kuvendit për shqyrtimin e dekreteve të presidentit, tashmë duket se do të realizohen ndryshime thelbësore në këtë dokument. Qëllimi i maxhorancës ishte që nëpërmjet propozimeve të deputetit Beja të arrinte të kishte nën kontroll propozimet e presidentit Topi për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Por gjatë ditës së djeshme, në mbledhjen e Këshillit të Rregullores dhe Mandateve është hedhur ideja e ndryshimeve më të gjëra të rregullores.
Mbledhja
Këshilli i Rregullores dhe i Mandateve është mbledhur dy herë gjatë ditës së djeshme. Gjatë mbledhjes së paradites Këshilli miratoi dy relatorët, Spiro Peçi dhe Besnik Dervishi, të cilët do të merren me hartimin e një projekti të përbashkët për ndryshimin e rregullores. Sipas Peçit, projektvendimi do të punohet gjatë javës së ardhshme dhe më pas do të dërgohet në seancë për miratim. “Këshilli i Rregullores dhe i Mandateve vendosi që projektvendimi i sjellë në Kuvend, të përpunohet nga relatorët dhe javën e ardhshme të dërgohet për miratim në Parlament. Grupi i punës ka rënë dakord në parim, që të reflektohet në lidhje me vërejtjet që kanë pasur anëtarët e Këshillit dhe pasditen e sotme pritet që të përgatitet materiali i nevojshëm”, - është shprehur Peçi. Po kështu, bëhet e ditur se fill pas ndryshimeve në rregullore pozita dhe opozita do të nisin një tjetër bashkëpunim, siç është hartimi i ligjit organik mbi funksionimin e institucionit të Presidentit të Republikës. Nevoja e një ligji organik mbi presidentin është e sanksionuar në Kushtetutë dhe prej dhjetë vitesh është folur për të, por politikanët shqiptarë nuk kanë ndërmarrë asnjë nismë konkrete për këtë çështje.
Ndryshimet
Sipas burimeve nga mbledhja e Këshillit bëhet e ditur se deputetët e maxhorancës kanë kërkuar që në Rregulloren e Kuvendit të pasqyrohen dhe ndryshimet që iu bënë pak kohë më parë Kushtetutës së vendit. Nga ana tjetër mësohet se përfaqësuesit e maxhorancës kanë kërkuar që në rregullore të sanksionohet e drejta e Kuvendit për të ndërhyrë në rastet kur Presidenti i Republikës vonon dekretet përtej afateve të përcaktuara. Sipas burimeve, në Rregulloren e Kuvendit do të pasqyrohen ndryshimet e miratuara vetëm pak kohë më parë në Kushtetutën e vendit përsa i përket mënyrës së zgjedhjes së Presidentit të Republikës, apo dhe të drejtës së kryeministrit për të paraqitur në Kuvend një mocion besimi. Në Rregulloren e Kuvendit do të përcaktohet mënyra e funksionimit të Kuvendit gjatë pesë raundeve të zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Në Kushtetutë është përcaktuar se kandidati për president i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Një deputet nuk lejohet të propozojë në të njëjtën kohë më shumë se një kandidat. Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi. Për zgjedhjen e presidentit Kuvendi zhvillon deri në pesë votime. Të gjitha këto dispozita pritet të pasqyrohen dhe në Rregulloren e Kuvendit. Po kështu, në rregullore do të pasqyrohet dhe e drejta e kryeministrit për t'i paraqitur Kuvendit mocion besimi ndaj Këshillit të Ministrave. “Në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, kryeministri, brenda 48 orëve nga votimi i mocionit, i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit”, shkruhet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Po kështu, në rregullore do të përshtatet dhe një tjetër ndryshim në Kushtetutë, që lidhet me mënyrën e zgjedhjes së prokurorit të Përgjithshëm. Ky i fundit emërohet nga Presidenti i Republikës, por me pëlqimin e Kuvendit dhe ka një mandat 5–vjeçar.

Meta: “Nxisim rritjen e përfaqësimit të grave në Parlament”

Lideri i LSI-së, Ilir Meta, zhvilloi një takim mjaft entuziast me qindra gra dhe vajza në Durrës. Ky takim zhvillohet në kuadër të bashkëbisedimit me gratë dhe vajzat, për hartimin e politikave dhe programeve për nxitjen dhe pjesëmarrjen e grave dhe të vajzave sa më shumë në politikë dhe në drejtimin e fushave të ndryshme të shoqërisë. Meta tha se LSI-ja nxit rritjen e përfaqësimit të grave në Parlament, ndërkohë që akuzoi Berishën se po bën demagogji në lidhje me këtë çështje. “Edhe në Parlament ka shumë pak gra, duke shtuar se kjo tregon sesa pak e përfaqësuar është ajo, gjysma më e rëndësishme e shoqërisë, dhe kjo tregon se sa mbrapa Europës jemi në këtë drejtim, pasi ky është dhe një tregues i shkallës dhe nivelit të integrimit europian në të cilin ne ndodhemi aktualisht. Berisha po bën demagogji me politikën gjoja në favor të grave, sepse në rast se Berisha vërtet të kishte një vizion kaq civil, qytetar dhe europian, nuk do të ishte vetëm më një grua në kabinetin e tij qeveritar. Edhe atë e ka vënë, sepse do të ishte pastaj tërësisht e papranueshme që të ishte një qeveri krejtësisht maskiliste”, - tha Meta.

FRESH-i si Rama, tur dialogu në të gjithë Shqipërinë

Forumi Rinor Eurosocialist Shqiptar (FRESH), ka shpallur fillimin e një turi që do të zhvillohet në të gjithë Shqipërinë, me të rinj nga i gjithë vendi. Synimi i këtij turi do të jetë nxitja e të rinjve për t’u bërë pjesë aktive në politikë dhe në jetën sociale. Kjo nismë do të shërbejë për programin e PS-së për rininë. “Turi do të realizohet gjatë muajve korrik dhe gusht dhe do të ketë 18 ndalesa. I ftojmë të gjithë të rinjtë, pa dallim bindjesh apo përkatësish politike, të bashkohen me ne për të mos pranuar më në heshtje vendime arbitrare që merren për ta, por të bëhen zot të fatit të tyre, duke kontribuar me ide dhe energji pozitive, në mënyrë që Partia Socialiste, forca e ndryshimit të vendit, të dijë se çfarë ata kërkojnë dhe më pas t’i realizojë kërkesat e tyre. Tani e tutje, ajo që s’është bërë në 3 vjet nga kjo Qeveri për të rinjtë, do të bëhet nga Forumi Rinor Eurosocialist Shqiptar, i cili do të bashkëbisedojë me bashkëmoshatarët e tij dhe do t’i hedhë idetë dhe shqetësimet e tyre në një libër, i cili më pas do të jetë programi i Partisë Socialiste për ta”, - thuhet në deklaratën e FRESH-it.

3 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›