E Diel, 1 Nëntor 2026

Akademikët e përjashtuar, vetëm tre prej tyre do të rikthen në Akademi



Jonida Tashi

Rikthehet “lufta e ftohtë” në Akademinë e Shkencave. Pas një beteje të gjatë të akademikëve me qeverinë, e cila mori vendimin që akademikët mbi 75 vjeç të mos ishin më anëtarë të rregullt të saj, ky debat pritet të shfaqet sërish në qarqet akademike. Do të jenë pikërisht akademikët e përjashtuar, por që tani vetëm tre prej tyre duhet të jenë anëtarë të përhershëm të Kryesisë së Akademisë, ata që do të ndezin sërish debatin. Sipas ligjit për reformimin e Akademisë së Shkencave, midis 30 akademikëve që janë anëtarë të rregullt të Akademisë, tre prej tyre duhet të jenë akademikë të përhershëm mbi moshën 75 vjeç. Aktualisht, këto tre vende vakante janë ende të paplotësuara dhe puna për përzgjedhjen e akademikëve të përhershëm sapo ka nisur. Për këtë, zëvendëskryetari aktual i Akademisë shprehet: “Gjatë kësaj periudhe Asambleja e Akademisë së Shkencave është ende e paplotësuar në aspektin e numrit 30, pasi nuk janë zgjedhur tre akademikët e përhershëm, që sipas ligjit, duhet të zgjidhen nga akademikët që janë mbi 75 vjeç”. Beqiraj bën të ditur se për përzgjedhjen e këtyre tre akademikëve, të gjithë akademikëve të përjashtuar u është bërë një kërkesë nëse duan ose jo të jenë anëtarë të përhershëm të saj. Deri tani, vetëm shtatë prej tyre kanë pranuar dhe pavarësisht dëshirës që ata kanë për t’u rikthyer në Akademi do të jenë votat e Asamblesë ato që do të japin verdiktin final për tre emrat.
Emrat
Midis akademikëve të kontaktuar deri dje, vetëm shtatë prej tyre e kanë pranuar këtë “ofertë”. Kështu, shtatë akademikët që kanë vendosur të aplikojnë për t’u rikthyer në vendin ku kanë punuar prej vitesh janë: Teki Biçoku, që aktualisht është kryetar i përkohshëm i saj, Ylli Popa, ish-kryetar i Akademisë deri në kohën para se të niste reformimi i saj, Shaban Demiraj, Kristo Frashëri, Alfred Uçi, Bardhyl Golemi, Kristaq Prifti. Ndërsa dy akademikë të përjashtuar, Hamit Beqja dhe Petraq Pilika, edhe pse janë kontaktuar për të bërë kërkesën e tyre si akademikë të përhershëm, nuk kanë pranuar. Sipas Gudar Beqirajt, të gjithë akademikët që kanë dëshirë të jenë anëtarë të përhershëm të Akademisë, kanë të drejtë të zgjidhen, por fitues do të shpallen vetëm tre akademikët që do të marrin më shumë vota nga Asambleja.
Përzgjedhja
Përzgjedhja si akademikë të përhershëm u jep këtyre tre akademikëve të drejtën që të kandidojnë më pas edhe për organet drejtuese të saj. Asambleja e re e Akademisë së Shkencave do të përbëhet nga 45 akademikë. Në këtë Asamble do të bëjnë pjesë 30 akademikë të rregullt, 27 prej të cilëve janë përzgjedhur pak kohë më parë dhe 15 akademikët e asociuar, që do të përzgjidhen së shpejti. Pas përzgjedhjes së tre akademikëve të përhershëm mbi moshën 75 vjeç dhe 15 akademikëve të asociuar, në Akademinë e Shkencave do të nisë një tjetër garë më e fortë se dy të parat, që është ajo zgjedhjes së kryetarit të ri të saj. Aktualisht, në krye të Akademisë qëndron gjeofizikani dhe akademiku Teki Biçoku. Këtë post ai do ta mbajë deri ditën kur do të zhvillohen zgjedhjet e reja në Akademi për organet drejtuese të saj.

Konflikti
Konflikti midis Akademisë së Shkencave dhe qeverisë nisi më 14 nëntor të vitit të kaluar, kur Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin e ri për Akademinë. Ky projektligj u botua fillimisht në gazetën “Albania” si dhe ueb-sajtin e Këshillit të Ministrave duke i kaluar më pas Kuvendit me kërkesën për ta miratuar me procedurë të përshpejtuar. Sipas akademikëve, projektligji u hartua pa kaluar as edhe një vit nga miratimi i ligjit që ishte në fuqi, ligj që ishte fryt i një reforme që u paraqit si e shkëlqyer, pasi hiqte institutet kërkimore nga sistemi i Akademisë. Lidhur me miratimin e këtij projektligji reagimet e akademikëve ishin tepër të ashpra dhe bashkoheshin vetëm në një pikë, që qeveria po krijonte akademinë e saj politike. Komisioni përzgjedhës i akademikëve të rinj, i ngritur me vendim të Këshillit të Ministrave, ishte një tjetër pikë e kundërshtuar nga akademikët. Sipas tyre, kjo ishte një tjetër shkelje e rëndë e një prej parimeve themelore të funksionimit të të gjitha akademive të botës, parimit të së drejtës ekskluzive të vetë akademikëve për të zgjedhur akademikët e rinj.

Akademikët që kanë pranuar të jenë anëtarë të përhershëm

Teki Biçoku
Ylli Popa
Shaban Demiraj
Kristo Frashëri
Alfred Uçi
Bardhyl Golemi
Kristaq Prifti

Akademikët që u është hequr e drejta e votës
1.Shaban Demiraj
2.Hamit Beqja
3.Kristo Frashëri
4.Zija Xholi
5.Mentor Përmeti
6.Bajram Preza
7.Vladimir Misja
8.Arben Puto
9.Luan Omari
11.Kristaq Prifti
12.Ylli Popa
13.Teki Biçoku
14.Jorgo Bulo
15.Andromaqi Gjergji
16.Alfred Uçi
17.Petraq Pilika
18.Dritëro Agolli
19.Teki Tartari

30 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›