E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet nga Italia, Albenc Ago, i dënuar për vrasjen e Eva Vishajt

• TIRANE - Ekstradohet nga Italia, Albenc Ago, i dënuar si vrasës i nënës së Elsa Lilës.Mesditën e djeshme ka përfunduar maratona 11-vjeçare e drejtësisë lidhur me vrasjen e Eva Vishajt. Personi i akuzuar dhe i dënuar për krimin që i mori jetën nënës së këngëtares së njohur shqiptare, Elsa Lila, është ekstraduar dje nga Italia. Ago, tashmë 40 vjeç, është dënuar nga organet e drejtësisë me 20 vite burg për vrasjen e Eva Vishajt më 23 maj të vitit 1997, në kilometrin 29 të rrugës kombëtare Tiranë-Elbasan. Edhe sot përkujtimorja e Vishajt kalon çdo ditë para syve të udhëtarëve të kësaj rruge. Dosja e vrasjes së Vishajt u rihap nga organi i akuzës në vitin 2004, ndërsa hetimet zbuluan autorësinë e krimit. Në dhjetor të vitit 2005, Ago u dënua me 20 vite burg, ndërsa më parë ai qe shpallur në kërkim ndërkombëtar me akuzën e vrasjes me armë zjarri. I kërkuari u kap nga policia italiane në qytetin e Padovës, më 26 gusht të vitit 2006. Ekstradimi i tij në Tiranë është bërë me qëllim vuajtjen e dënimit në burgjet shqiptare, sipas vendimit të dhënë nga Gjykata e Tiranës në mungesë. Ago është arrestuar nga policia italiane me kërkesë të Interpolit shqiptar, pasi ishte shpallur në kërkim për vrasje. Policia italiane e arrestoi Agon në një apartament në Padova, ku ai jetonte prej vitesh. Pak muaj pas arrestimit të tij nga policia e Padovës, organet italiane të drejtësisë pranuan ekstradimin e tij në drejtim të Shqipërisë, ku ai duhet të vuaj dënimin e dhënë ndaj tij me 20 vite burg. Mëngjesin e djeshëm atij i është njoftuar ekstradimi, ndërsa ka përgatitur sendet personale në burgun e Milanos. Në orën 09:30 ai është ngjitur në avion, ndërsa në orën 12:15 minuta ka shkelur në Shqipëri për herë të parë, ndoshta që pas krimit të vitit 1997.Gjykata e Tiranës më 1 dh    jetor 2005 dënoi Albenc     Agon duke e akuzuar atë për ekzekutimin e Eva Vishajt (Lila), nëna e këngëtares së njohur Elsa Lila. Shtatë vite pas krimit të ndodhur më 23 maj 1997, Prokuroria rihapi dosjen dhe pas hetimeve të filluara në dhjetor 2004, dërgoi fashikullin hetimor në Gjykatë. Albenc Ago u gjykua për akuzën e vrasjes në mungesë, i përfaqësuar nga një avokat kryesisht. Ai u shpall fajtor dhe u dënua me 20 vjet burg. Pas ekstradimit të tij dje nga Italia, gazeta "Panorama" publikon sot vendimin e plotë të Gjykatës së Tiranës për dënimin e Albenc Agos. Vendimi përmban gjithë mekanizmin e ngjarjes bashkë me dëshmitë e mbledhura gjatë hetimeve paraprake nga Prokuroria e Tiranës.   Gjykata pasi shqyrtoi çështjen në tërësi dhe administroi provat:V E R E NSe organi i Prokurorisë ka sjellë për gjykim pranë kësaj gjykate të pandehurin Albenc Ago për veprat penale "vrasjes me dashje" dhe "mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit", parashikuar nga nenet 76 dhe 278/2 të K.Penal. Nga hetimi gjyqësor i çështjes rezulton e provuar se:I pandehuri Albenc Ago është banor i Tiranës. Për shkak të pamundësisë së gjetjes dhe fshehjes, ky gjykim bëhet në mungesë, kjo bazuar në nenin 351 dhe 352 të K.Pr.Penale. Më dt. 23.05.1997, pikërisht në aksin e rrugës Tiranë-Elbasan dhe pikërisht në kilometrin 29 në afërsi të fshatit Gracen, është gjetur e vrarë shtetasja Eva Vishaj (Lila). Kjo vrasje rezulton se është realizuar me armë zjarri dhe pikërisht me një plumb në kokë, që ka si vrimë hyrje nga përpara dhe vrimë dalje në pjesën e pasme të kokës. Viktima po atë ditë rezulton të jetë gjetur nga ana e shoferit të fugonit, shtetasi Astrit Haskaj, i cili rezultonte të udhëtonte në drejtim të Tiranë-Elbasan, duke e shoqëruar atë për në Spitalin Ushtarak. Që nga momenti i ngjarjes dhe deri në vitin 2004, kjo ngjarje rezulton se ka mbetur pa veprime të mirëfillta dhe vetëm në vitin 2004 organi i Prokurorisë ka filluar hetimet e saj, duke e sjellë për gjykim pranë kësaj gjykate vetëm në vitin 2005. Mbi bazën materiale hetimore dhe provave të kërkuara për gjykim nga ana e palëve, kjo gjykatë i nënshtroi këtij shqyrtimi gjyqësor një sërë provash dhe konkretisht pyetjen e një sërë dëshmitarësh dhe konkretisht të Robert dhe Saimir Vishaj, Fatbardha Nito, Gazmend Demi, Ardian Resuli, Shpresa Thëngjilli etj. Sipas dëshmive të të gjithë dëshmitarëve të mësipërm, mekanizmi i ngjarjes është i ndërtuar në këtë mënyrë: Viktima rezulton të ishte e punësuar si kameriere pranë lokalit të ndodhur në cep të parkut "Rinia", ngjitur me Ministrinë e Mbrojtjes, që quhej "Juna". Punësimi i saj kishte ndodhur në sajë të njohjeve që familjarët e saj kishin me pronarët e lokalit. Përveçse punonte në Tiranë, viktima rezultonte të jetonte po në Tiranë në një apartament në afërsi të rrugës "Bardhyl". Në këtë banesë jetonte me fëmijët e saj, pasi rezultonte të ishte e ndarë. Në periudhën e vitit 1997, për shkak të rrëmujave të atij viti, pjesa më e madhe e popullsisë qëndronte në shtëpi, pasi nuk kishte mundësi të mëdha aktivitetesh dhe argëtimesh. Kështu viktima për shkak të njohjeve dhe lidhjeve që kishte me drejtoreshën e shkollës "Hoxha Tasim", dëshmitaren Fatbardha Nito, kishte filluar të shkonte në kurse aerobie sa herë që kishte kohë të lirë. Kështu si zakonisht, edhe më dt. 23.05.1997, viktima ka shkuar në kursin e aerobisë. Sapo ka lënë çantën dhe është veshur me rroba sportive, ajo ka marrë vesh se po e kërkonte shoferi i një makine fuoristradë, pikërisht i pandehuri Albenc Ago. Këtë fakt e konfirmon dëshmitarja Fatbardha Nito, e cila rreth orës 16:00 të asaj dite ka qenë duke mbyllur derën kur ka parë se fuoristrada ishte futur brenda oborrit dhe në të ishin dy persona. I pandehuri rezultonte se punonte si shofer i dëshmitarit Gazmend Demi dhe një pjesë të madhe të kohës ishte shofer dhe i fushatës elektorale të Partisë Socialiste dhe në ndihmë të shtabit elektoral të saj. Në kohën që i pandehuri është futur në oborrin e shkollës, ku bënte aerobi viktima dhe e ka marrë me vete në makinë, kanë qenë një pjesë e grupit të shoqërimit të kryetarit të Partisë Socialiste të asaj kohe dhe pikërisht edhe dëshmitari Alket Bega, punonjës i repartit 88, që në atë kohë ishte me shërbim aty dhe që e njihte të pandehurin, pasi punonte në grupin vullnetar. Këtë fakt e konfirmon edhe drejtoresha e shkollës dhe njëkohësisht njeri i afërt e viktimës, dëshmitarja Fatbardha Nito. Faktin e ardhjes në shkollë atë ditë e ka shpjeguar edhe mësuesja e aerobisë, dëshmitarja Shpresa Thëngjilli, e cila ditën e nesërme i ka dhënë dëshmitares Fatbardha Nito çantën që ajo kishte lënë aty një ditë më parë. Meqenëse në këtë çantë ndodheshin çelësat e banesës së saj, Fatbardha Nito ka shkuar dhe ka çuar në banesën e saj duke mos gjetur njeri. Pas katër ditësh ajo ka mësuar për vrasjen e ndodhur. Më pas, sipas dëshmive të dëshmitarëve dhe konkretisht të Gazmend Demit, informacion që rezulton ta ketë marrë nga persona që njiheshin me të, po atë ditë e kanë parë viktimën Eva Vishaj në makinë tip "Mitsubishi" ngjyrë qielli që po udhëtonte në drejtim të rrugës së Elbasanit, pikërisht tek Liceu Artistik, makinë që po drejtohej nga ana e të pandehurit Albenc Ago dhe që midis të dyve rezultonte se kishte marrëdhënie të acaruara, fakt që është vënë re nga ana e këtyre dëshmitarëve. Pas këtij momenti viktima Eva Vishaj nuk është parë me atë. Po atë ditë, viktima, sipas deklarimeve të dëshmitarit Demi, është kërkuar në lokalin ku punonte zakonisht, por nuk kishte ardhur. Më pas ky i fundit e ka kërkuar edhe në banesë, por nuk është bërë e mundur gjetja e saj. Kështu po atë natë së bashku me shoferin e tij kanë shkuar në të gjithë komisariatet e policisë së Tiranës për të marrë ndonjë njoftim në lidhje me të, pasi nga ngjarjet e '97 çfarë nuk prisje për shkak të trazirave të krijuara. Ditën e nesërme, dëshmitari Demi ka lexuar mbi vrasjen e një vajze të re, e cila ishte gjetur në rrugën Tiranë-Elbasan, pikërisht në kilometrin 29. Së bashku me dëshmitarin tjetër Ardian Resuli, i cili u pyet përpara gjykatës, kanë shkuar në morgun e Tiranës, ku kanë konstatuar se pikërisht viktima ishte shtetasja Eva Vishaj. Pas interesimeve të tij për autorin e mundshëm të kësaj vrasje, ai ka folur edhe me dëshmitarin Alket Bega, i cili i ka treguar në lidhje me rrethanat e marrjes së viktimës nga ana e të pandehurit Albenc Ago me makinë "Mitsubish" nga shkolla "Hoxha Tasim". Pas marrjes së këtij informacioni dhe një informacioni tjetër, që makina e tij ishte parë në atë muzg të asaj dite duke kaluar në rrugën e Elbasanit me viktimën, dëshmitari Demi ka kërkuar që të kontaktonte direkt me të pandehurin Albenc Ago në telefon, ku ky i fundit i ka thënë se i kishte ndodhur "diçka" dhe në tensionim e sipër të dëshmitarit Demi, i pandehuri Ago ia ka mbyllur telefonin duke mos komunikuar më me të. Po sipas deklarimeve të dëshmitarit, makina fuoristradë i ishte dhënë nga ana e tij në ndihmë të fushatës elektorale, makinë të cilën ia kishte marrë shtetasit Andrea Laçi. Në deklarimet e marra dëshmitarit Ardian Resuli, shpjegohet i gjithë mekanizmi i mësipërm i deklaruar nga ana e dëshmitarit Gazmend Demi. Ai konfirmon se kishte shkuar në morg së bashku me dëshmitarin tjetër dhe se kishin parë se viktima në morg ishte pikërisht Eva Vishaj dhe se ajo kishte marrë një plumb të vetëm në sy. Madje, ky deklaron se nga shokët e tij kishte mësuar se vrasjen e kishte bërë i pandehuri Albenc Ago, që atij në atë kohë i thërrisnin "Benc", i cili punonte me një fuoristradë te Partia Socialiste. Pas hetimeve ka rezultuar se këtë makinë në muajin maj dëshmitari Gazmend Demi ia ka kërkuar shtetasit Andrea Laçi, makinë të cilën ia ka marrë firmës gjermane "Leiko Lazer", pasi në atë kohë nuk dispononte një të tillë. Sipas gjykimit, kjo makinë kishte kaluar nga duar të ndryshme, derisa kohët e fundit e përdorte i pandehuri Albenc Ago. Nga ana e organeve hetimore në atë kohë është bërë dhe akti i ekspertimit mjeko-ligjor dhe sipas këtij akti me nr. 133 dt. 24.05.2005, ka rezultuar se në trupin e viktimës Eva Likaj vërehen dëmtime të ndryshme trupore, konkretisht plagë tejshkuese me armë zjarri në kokë, në syrin e djathtë, hematoma në syrin e majtë, gërvishtje në fytyrë dhe në gjymtyrë. Këto dëmtime janë shkaktuar nga plaga tejshkuese me armë zjarri me puthitje në kokë, ndërsa dëmtimet e tjera me mjete të forta, fakt se ndaj viktimës është ushtruar dhunë më përpara. Ndërsa vdekja e saj ka ardhur si pasojë e kontuzionit të trurit. Në momentin e këqyrjes së kufomës, ka rezultuar se viktima Eva Vishaj ka qenë e veshur me një bluzë të bardhë me krahë të shkurtra dhe me pantallona të shkurtra sintetike, rroba këto që viktima i përdorte në aerobi në palestër, gjë që konfirmon faktin se kjo e fundit është marrë po atë ditë nga palestra, pikërisht nga ana e të pandehurit Albenc Ago. Kështu nga deklarimet e dëshmitarëve dhe rrethanat e ngjarjes, rezulton se i pandehuri e ka marrë shtetasen, viktimën Eva Vishaj, ditën e ngjarjes rreth orës 16:00 te shkolla "Hoxha Tasim" dhe është parë të kalonte po atë ditë pas kësaj ore në rrugën e Elbasanit dhe është gjetur po atë ditë në kilometrin 29 nga dëshmitari Astrit Haskaj rreth orës 19:00. Nga gjykimi rezultoi se i pandehuri nuk ka qenë efektiv i Gardës së Republikës, pistoleta që mbante me vete dhe me të cilën ka realizuar vrasjen ka qenë pa lejen e organeve kompetente. Nga rrethanat e zhvillimit të ngjarjes, procesverbalit të këqyrjes së kufomës, aktit të ekspertimit, deklarimeve të Gazmend Demit, Alket Begës, Ardian Resulit, Fatbardha Notit, Shpresa Thëngjillit, Robert Vishajt, Saimir Vishajt e të tjerë, si dhe nga të gjithë provat e nënshtruara këtij gjykimi, arrihet në përfundimin se i pandehuri ka konsumuar të gjithë elementet e veprës penale të vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje parashikuar nga nenet 76 e 278/2 të K.Penal. Kjo vepër penale ka prekur ato marrëdhënie juridike të cilat janë vendosur për të siguruar të drejtën për të jetuar si një e drejtë themelore. Nga ana objektive, vepra penale e vrasjes është karakterizuar nga rrethana të veçanta, siç është ajo e grindjes midis autorit të vrasjes, të pandehurit dhe viktimës, fakt që konfirmohet nga dhuna e përdorur dhe qitjes me armë zjarri në syrin e djathte, grindje e cila ka përfunduar me vdekjen e shtetases Eva Vishaj. Nga dokumentacionet e ndodhura në dosje, rezulton se subjekti i veprës penale është i përgjegjshëm në lidhje me veprën e kryer. Nga ana subjektive vepra penale është kryer me dashje të drejtpërdrejtë në grindje e sipër, ku i pandehuri i ka parashikuar pasojat e veprës penale dhe dëshiron ardhjen e tyre dhe me ndërgjegje i ka lejuar ardhjen e saj. Ndërsa përsa i përket veprës penale të armëmbajtjes pa leje, rezulton se vepra ka prekur ato marrëdhënie që janë vendosur për të siguruar rendin dhe sigurinë publike nga prodhimi, mbajtja apo shitja e armëve luftarake. Nga ana objektive, vepra është kryer me mbajtjen pa leje të armëve luftarake dhe konkretisht të një pistolete të kalibrit 9 mm nga ana e të pandehurit. Nga ana subjektive, vepra është kryer me dashje direkte.Në caktimin e llojit dhe të masës së dënimit, gjykata ka parasysh rrezikshmërinë shoqërore të veprës dhe të pandehurit, faktin e qenies të padënuar, nuk është i penduar, i është shmangur gjykimit dhe hetimit, kryerjen për motive të dobëta, përdorimin e dhunës ndaj viktimës, kryerjen e vrasjes me mizori dhe egërsi, gjë që duket nga plaga e marrë te viktima, kërkesën e organit të prokurorisë, gjendjen ekonomike e familjare si dhe rrethanat e tjera të parashikuara nga nenet 48 e 49 të K.Penal.PER KETO ARSYEGjykata bazuar në nenin 390 të K.Pr.Penale;V E N D O S I• Deklarimin fajtor të të pandehurit Albenc Ago për veprën penale të "Vrasjes me dashje" të parashikuar nga neni 76 i K.Penal dhe dënimin e tij në bazë të këtij neni me 20 vjet burgim.• Deklarimin fajtor të të pandehurit Albenc Ago për veprën penale të "Mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit" të parashikuar nga neni 278/2 i K.Penal dhe dënimin e tij në bazë të këtij neni me 1.5 vjet burgim.• Në zbatim të nenit 55 të K.Penal, në bashkim të dënimeve e dënon përfundimisht me 20 vjet burgim.• Vuajtja e dënimit fillon nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi.• Vuajtja e dënimit të bëhet në burg të sigurisë së lartë.• Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurit.• Kundër vendimit lejohet ankim në Gjykatën e Apelit Tiranë brenda 10 ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e shpalljes.• U shpall sot më dt. 01.12.2005, në Tiranë.
Letra e familjarëve rihapi dosjen e vrasjes pa autor pas shtatë viteve
TIRANE - Prokuroria e Përgjithshme vendosi më 31 dhjetor 2004 rihapjen e dosjes penale për vrasjen e Eva Vishajt (Lila), pas një letre të dërguar në organin e akuzës nga familjarët e viktimës. Ata kërkuan vendosjen e drejtësisë dhe zbulimin e ngjarjes, e cila përgjatë shtatë viteve kishte mbetur mister. Pasi rishqyrtoi ato materiale të pakta që ndodheshin në dosje, Prokuroria e Përgjithshme vendosi rifillimin e hetimeve. Pas këtij vendimi organi i akuzës e kaloi dosjen për kompetencë hetimi në Prokurorinë e rrethit Gjyqësor Tiranë. Linja nr.4 e hetimeve në këtë institucion fillimisht verifikoi materialet që ndodheshin në dosje. Nga viti 1997, kur kishte ndodhur krimi deri në fund të vitit 2004, për hetimin e ngjarjes nuk ishte kryer asnjë veprim hetimor. Megjithatë Prokuroria identifikoi më shumë se 15 dëshmitarë që jepnin fakte për momente të veçanta të vrasjes së Eva Vishajt dhe shkaqet e krimit. Duke u bazuar në rrëfimet e këtyre dëshmitarëve, prokuroria arriti të sigurojë edhe provat përkatëse. Në fillim të vitit 2005 organi i akuzës deklaroi se kishte zbuluar autorin e dyshuar për vrasjen e Eva Vishajt, në kilometrin 29 të rrugës Tiranë-Elbasan. Një urdhër kërkimi iu përcoll Policisë së Shtetit, por kjo e fundit nuk mundi të vendosë të dyshuarin në pranga, pasi ai ishte arratisur. Nga të dhënat operative ai rezultoi se nuk ndodhej në Shqipëri. Pasi përfundoi veprimet hetimore duke mbledhur provat materiale dhe duke pyetur dëshmitarët, Prokuroria vendosi përfundimin e hetimeve dhe dërgimin e dosjes penale për shqyrtim gjyqësor në Gjykatë. Derisa i akuzuari nuk ishte arrestuar nga policia dhe organet e rendit nuk e kishin gjetur atë, që në fillim të procesit është vendosur që gjykimi të zhvillohej në mungesë të personit të pandehur. Pak kohë pas dhënies së vendimit për dënimin e tij me 20 vjet burg, Albenc Ago ra në pranga në Itali. Ndërkaq, vendimi i dhënë nga Gjykata e Tiranës është animuar në Gjykatën e Apelit nga avokati që përfaqësoi kryesisht të pandehurin. Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë dhe, në këtë mënyrë, vendimi i fajësisë ndaj Albenc Agos mori formë të prerë.       t.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›