“Paketë ndryshimesh në Kushtetutë”
• Nisma e Partisë Socialiste për të ndryshuar sistemin zgjedhor përmes ndërhyrjes në Kushtetutë, mund të shërbejë si një pikënisje për hartimin e një pakete amendimesh të cilat do të prekin sërish ligjin themeltar të shtetit.ADI SHKEMBIKryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi tha dje në një prononcim për mediat se në diskutimet për reformën zgjedhore të cilat do të pasqyrohen edhe në Kushtetutë, duhen pasur parasysh të gjitha ato raste ku vakumet kushtetuese kanë sjellë kriza politike në vend. Një gjë e tillë do të bëjë që ligji i miratuar në vitin 1998 dhe i amenduar vetëm njëherë në vitin 2007, të preket në disa nene të tij. “Me këtë rast është e nevojshme të thërritet në kujtesë e gjithë gama e problemeve dhe ngërçeve politike të shkaktuara për shkak të keqinterpretimeve dhe gropave që ka Kushtetuta në këto dhjetë vjet, në mënyrë që me një lëvizje të zgjidhen disa probleme njëherësh”, theksoi Patozi. I vetmi ndryshim i bërë një vit më parë ka qenë ai i rritjes së numrit të anëtarëve të KQZ-së nga 7 në 9. Duke komentuar draftin e paraqitur një ditë më parë nga Partia Socialiste, kreu i deputetëve demokratë u shpreh se nisma e forcës më të madhe të opozitës është një lamtumirë për sistemin e ‘dushkut’, i cili i ka krijuar deviacione të mëdha votës së qytetarëve. Në të njëjtën kohë Patozi vlerësoi si të pajustifikueshme reagimet e “të vegjëlve” për draftin e PS-së. “Reagimi është i pajustifikuar, aq më tepër është një reagim emocional dhe shumë agresiv, për shkak se në radhë të parë kemi të bëjmë me një nismë dhe nisma nuk mund t’i mohohet një deputeti të thjeshtë dhe jo më një grupi të madh parlamentar. E dyta, ajo është një nismë që mund të korrektohet dhe mund të plotësohet më tej, para se të shkojë në seancë plenare”, u shpreh kryetari i deputetëve demokratë. Sipas tij, “nisma e socialistëve është një amendament që në njëfarë mënyre konturon një sistem proporcional rajonal, por pa dhënë detaje. Këto detaje do t’i lihen ligjit elektoral që do të miratohet më vonë. Ndaj në këtë kontekst nuk shikoj nevojën për një reagim agresiv nga cilido aktor politik, pasi diskutimi i çështjeve të tjera që kanë të bëjnë me kodin elektoral, janë në një etapë të mëvonshme”, u shpreh Patozi.Mediu: Ushtria, të ndryshohet KushtetutaMinistri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, me anë të një letre të hapur drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, kërkon ndryshimin e Kushtetutës për sa i përket përdorimit të forcave ushtarake shqiptare. Në letrën drejtuar Kuvendit, ministri Mediu kërkon që të ndryshohet Kushtetuta, pikërisht pika 3 e nenit 12 të saj. “Dërgimi i forcave të armatosura shqiptare jashtë shtetit dhe vendosja apo kalimi i forcave ushtarake të huaja në territorin shqiptar, rregullohet me një ligj të miratuar me shumicën e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”, thuhet në formulimin e paraqitur. Ndërsa kërkon ndryshimin e pikës 1 të nenit 168 të Kushtetutës, duke e formuluar se “organizimi i forcave të armatosura rregullohet me ligj”.Topi: Reforma zgjedhore të mos bëhet me diktatPresidenti Bamir Topi, ka kërkuar vazhdimin e dialogut për reformën zgjedhore duke mos anashkaluar komisionin e posaçëm parlamentar për kryerjen e kësaj reforme. Sipas tij “e rëndësishme është që gjërat, e përsëris, të mos bëhen asnjëherë me diktat, por të bëhen me mirëkuptim”. Kreu i shtetit, duke folur nga një aktivitet në Bashkinë e Manzës u shpreh se ekziston hapësira dhe koha e nevojshme për kryerjen e reformës në ligjin elektoral. I pyetur mbi qëndrimin e tij për sistemin e elektoral me të cilin do të votojnë shqiptarët një vit më vonë, kreu i shtetit u shpreh se i takon partive politike për ta caktuar. Sipas Topit “Sistemi, nëse është e nevojshme të ndryshohet, është vullneti i partive, do të ndryshohet, qoftë edhe duke e prekur Kushtetutën. Mirë është që gjërat të mendohen, të konsumohen brenda vullnetit të të gjitha partive politike dhe nëse nuk ka një marrëveshje absolute, të merret mendimi i përgjithshëm, sepse në fund fare gjithmonë ka një vendimmarrje dhe vendimmarrja është mbi bazën e shumicës së vullneteve, në mënyrë që partitë politike të gjejnë një vullnet harmonik, sepse zgjedhjet politike kanë të bëjnë me vullnetin e të gjithë shqiptarëve”.