Malaj: Viti 2008, vit i vështirë për shqiptarët
• Viti 2007 konsiderohet një vit mosrealizimesh dhe një inflacioni në rritje. Deputeti socialist, ish-ministri i Financave Arben Malaj, analizoi situatën ekonomike të vitit të shkuar. Sipas tij, "të ardhurat buxhetore nuk janë realizuar për rreth 11 miliardë lekë ose rreth 130 milionë dollarë. Në dogana është konstatuar një mosrealizim përreth 5 miliardë lekë ose rreth 60 milionë dollarë, kryesisht nga mallrat e forta". "Ekonomia shqiptare ndjeu mungesën e mosrealizimit të investimeve të huaja rreth 8 miliardë lekë, ndërsa investimet vendase u realizuan në mënyrë statistikore, sepse shqiptarët nuk e kanë ndjerë impaktin real ekonomik të tyre me rreth 22 miliardë lekë vetëm në muajin dhjetor. Pra, është e pabesueshme që vetëm në një muaj të vitit të realizohen 270 milionë $. Pikërisht, duke parë atë që qeveria u mundua të zbukuronte në vitin 2007 ne jemi të shqetësuar për mungesën e përgjegjësisë për vitin 2008, i cili realisht tenton të jetë vit i vështirë për shqiptarët dhe ndoshta janë tre nga arsyet kryesore", tha Malaj. Sipas tij, "ka një inflacion në rritje. Inflacioni për mallrat ushqimore që prekin jetesën e përditshme të shqiptarëve është shumë i lartë". Gjithashtu edhe kostoja e kredisë ka ardhur në rritje. Pra, kredia për konsum dhe kredia për investim nga shqiptarët në vitin 2008 do të jetë më e rëndë. Malaj shtoi se, gjatë vitit 2008 do të jetë më e rëndë dhe kostoja e borxhit që qeveria do të marrë dhe njëkohësisht pengesat që po ndihen në disa sektorë realë të ekonomisë shqiptare për shkak të zvarritjeve, burokracisë dhe korrupsionit. Në emër të PS-së, ish-ministri socialist i Financave tërheq vëmendjen se është momenti që "sfidat e vitit 2008 të konsiderohen më të vështira se të vitit 2007, sidomos në pjesën e inflacionit". "Ju shikoni dhe konstatoni rritjen e përgjithshme të çmimeve, të karburanteve dhe të mallrave të tjerë jetikë. Qeveria duhet të ketë një strategji të qartë për të kufizuar ngarkesën negative që shkon tek shtresat më të varfra të popullsisë ndaj inflacionit në rritje", vijoi Malaj. a.l