Toka pa shpërblim, miratohet drafti i qeverisë
• Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese miratoi pa ndryshime p/ligjin e qeverisë "Për kalimin në pronësi, pa shpërblimin të tokës bujqësore".Edhe pse socialistët qenë të përçarë në qëndrimin e tyre, komisioni që drejtohet nga Ylli Bufi vendosi ta miratojë projektligjin pa ndryshime. I vetmi që ka pasur kontestime për këtë projektligj ishte socialisti Ndriçim Hysa, i cili u shpreh për shtyrje të votimit, duke kërkuar që në komision të jetë i pranishëm edhe ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, për të dhënë shpjegime. Hysa u shpreh se duhet të mbështetet mendimi i dhënë nga deputetët e Komisionit të Ligjeve, të cilët e kontestojnë një projekt të tillë. Në relacionin e vet, një pjesë e deputetëve të Komisionit të Ligjeve, ku përfshihen edhe deputetë të opozitës dhe të maxhorancës, si PR dhe PBDNJ, i shohin këto ndryshime si të pazbatueshme dhe antikushtetuese. "Kalimi i truallit në pronësi, për personat që e kanë në përdorim, nuk është i parashikuar në asnjë nga mënyrat e fitimit të pronës të parashikuara në pikën 2 të nenit 41 të Kushtetutës, si dhe në Kodin Civil. Kjo nismë është në kundërshtim me frymën dhe dispozitat e ligjit 7501. P/ligji do të mbesë i pazbatuar dhe nuk përcakton që trualli të shkojë për kompensimin e ish-pronarëve. P/ligji pengon procesin e kthimit dhe kompensimit fizik të ish-pronarëve, përkeqëson garantimin e kthimit të pronës pronarëve legjitimë dhe nuk shkon në favor të tyre. Ai trajton në mënyrë selektive atë kategori të popullsisë që e ka tokën në përdorim", thuhet në relacionin e Komisionit të Ligjeve.