E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet nga Italia i dënuari për tentativë vrasjeje

Tentoi të vriste dy të rinj nga qyteti i Çorovodës 10 vjet më parë, tashmë do të vuajë dënimin e marrë në mungesë me 15 vjet heqje lirie. Benjamin Dine, 33 vjeç nga Fieri, ka rënë në prangat e policisë së Milanos dhe më pas është ekstraduar për në Shqipëri, falë bashkëpunimit të Interpol Tiranës dhe policisë italiane. Sapo ka mbërritur në ambientet e paraburgimit të 302-shit në Tiranë, mëngjesin e djeshëm, 33-vjeçarit fierak i është komunikuar dënimi me 15 vjet heqje lirie, çka ka bërë të mundur dhe ekzekutimin e vendimit të dhënë nga ish-Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Skrapar për dënimin e tij në mungesë. Në vitin 2000 Dine është shpallur fajtor në mungesë për veprën penale të
"vrasjes së mbetur në tentativë". Ngjarja për të cilën i riu nga Fieri u dënua me 15 vjet heqje lirie, ka ndodhur në qytetin e Çorovodës, në vitin 1999, kur Dine kishte shkuar për një vizitë te disa të afërm të tij. Gjatë një sherri banal me disa të rinj, ai tentoi të vrasë me armë zjarri shtetasit H.Durra dhe G.Memollari. Gjatë grindjes, Dine qëlloi me armë drejt tyre, por pa lënduar njeri. Menjëherë pas ngjarjes ai largohet nga qyteti i Çorovodës dhe më vonë edhe nga Shqipëria. Ishin organet e drejtësisë së Skraparit, të cilat fillimisht e identifikuan atë si autor të ngjarjes dhe më pas e gjykuan në mungesë, duke e shpallur në kërkim në lidhje me akuzën. Tashmë ai do të vuajë dënimin me 15 vjet heqje lirie, dënim të marrë në mungesë nëntë vjet më parë.

Mi.H.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›