E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fishta: Mospjesëmarrja e qeverisë, mungesë serioziteti

Mosparaqitja e përfaqësuesve të qeverisë në seancën e Gjykatës Kushtetuese është cilësuar si mungesë serioziteti edhe nga ana e Sindikatës së Punonjësve të Policisë. Kryetari i Sindikatës, Sadetin Fishta, ka deklaruar për "Shqip"-in se mosardhja e tyre në seancë tregon vlerësimin e vërtetë që qeveria ka për grupet e interesit, të cilat nuk kanë qenë dhe nuk janë dakord me ligjin për sigurimin shoqëror suplementar. "Kjo tregon edhe një herë seriozitetin që ka qeveria për këto çështje. Që në fillim, kur ky ligj ende ishte draft, ne kërkuam që të ishim pjesë e grupit të punës si grup interesi në ndërtimin e tij. Por, qeveria shqiptare nuk ktheu ndonjëherë përgjigje. Ashtu siç e kemi cilësuar edhe njëherë tjetër në gazetën "Shqip", problemet e konstatuara nga ne i janë dërguar Kryeministrit për shqyrtim, por ato jo vetëm që nuk u vlerësuan, por për korrektesë nuk u dha asnjë përgjigje, veçse ligji kaloi shumë shpejt dhe u miratua në mënyrë të parregullt", shprehet Fishta. Ai shpjegoi se, duke marrë shkas nga mungesa e komunikimit me organet kompetente, u detyruan t‘i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, kur mund të kishte qenë shumë më e lehtë që ligji të përgatitet, duke lejuar të marrin pjesë në ndërtimin e tij edhe gjithë grupet e interesit. "Ne shpresojmë se kjo nuk do bëhet një odise seancash, por qeveria do ketë guximin që të vijë dhe t‘u përgjigjet në mënyrë ligjore atyre shqetësimeve që ne kemi ngritur për ligjin e sigurimit shoqëror suplementar, që sipas nesh dhe shumë ekspertëve të huaj është shkelje flagrante e Kushtetutës. Ne e vlerësojmë Gjykatën Kushtetuese për objektivitetin e tyre dhe shpresojmë që ata ta shqyrtojnë këtë çështje bazuar në parimet dhe ligjet shqiptare", deklaron kryetari i Sindikatës së Policisë. Sipas tij, ligji është kundërshtuar në një sërë nenesh, që bien ndesh me gjithë konventat dhe ligjet në fuqi, e madje ka pasur edhe mbështetjen e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›