E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë/ Në kërkim edhe një bashkëmoshatar i tij

Kryejnë vepra të turpshme me një të mitur, prangoset një 30-vjeçar, ndërkohë që një tjetër është shpallur në kërkim. Burime zyrtare nga policia e Korçës bëjnë të ditur se Petrit Hoxha, 30 vjeç, nga qyteti i Korçës, banor i Lagjes 4, është arrestuar nën akuzën e "kryerjes së veprave të turpshme me të mitur", në bazë të një denoncimi që ka ardhur nga të afërm të një 13-vjeçari. Burime zyrtare të policisë lokale kanë bërë të ditur së për të njëjtën ngjarje është shpallur në kërkim dhe një shok i Hoxhës. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se Petrit Hoxha, bashkë me një tjetër person, kanë marrë një 13-vjeçar dhe i kanë kërkuar t‘u tregojë organet gjenitale. Sipas policisë, Petrit Hoxha është identifikuar menjëherë nga ana e minorenit, për shkak se banonte jo shumë larg shtëpisë së tij. Mësohet se 30-vjeçari ka qenë bashkë me një shokun e vet dhe sipas policisë, që ka nisur hetimet, mendohet se edhe të rriturit janë zhveshur pjesërisht para 13-vjeçarit. Pasi ka mundur të largohet nga dy maniakët, ka qenë vetë viktima që është ankuar pranë prindërve, duke ju treguar ngjarjen e shëmtuar. Burimet policore thonë se ka qenë një denoncim nga familjarë të minorenit që ka çuar në nisjen e hetimeve dhe më tej në prangosjen e 30-vjeçarit dhe shpalljen në kërkim të shokut të tij bashkëmoshatar. Ngjarja ka ndodhur pak ditë më parë në Lagjen 4 të qytetit të Korçës, por për shkak të hetimeve, autori është ndaluar vetëm një ditë më parë. Policia ka thënë se të rriturit nuk kanë abuzuar seksualisht dhe as është konstatuar një ngacmim seksual ndaj 13-vjeçarit, por janë konsumuar me të vepra të turpshme. Denoncimi i këtij rasti është i katërti ku viktima të ngacmimeve seksuale janë minorenët. Sipas policisë, denoncimet e tjera kanë ardhur nga persona të mitur që akuzojnë të tjerë minorenë, por ndryshe nga protagonistët e vegjël të këtyre ngjarjeve, së fundmi në "lojë" janë përfshirë edhe të rriturit.

J.Dhimitri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›