E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ekstremet asnjëherë nuk janë të mira”

30/10/2009  Anëtari i kryesisë së PD-së Fatos Beja kërkon ndarjen e posteve ministrore nga ato partiake

Sipas tij, vërehet prirja e angazhimit si në qeveri, ashtu dhe në postet drejtuese partiake

Ergys GJENÇAJ

Postet drejtuese në Partinë Demokratike nuk duhet të jenë në dorë të atyre personave që janë pjesë e qeverisë, ky është mendimi i anëtarit të kryesisë së PD-së dhe deputet i kësaj force politike Fatos Beja. Sipas tij, në Partinë Demokratike duhet të ndahen postet qeveritare nga ato të forumeve partiake, në mënyrë që të shmanget monopolizimi i partisë. Deklarata e Bejës vjen në një kohë kur në PD ka nisur procesi organizativ për zhvillimin e zgjedhjeve të brendshme si të kryetarit, ashtu dhe të të gjitha strukturave drejtuese, që do të zhvillohen në Kongresin zgjedhor të 12 dhjetorit. Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Fatos Beja, është i mendimit se ekstremet asnjëherë nuk janë të mira. “Në qoftë se të gjithë drejtuesit e partisë do të venë të tërë në pushtet dhe nuk mbetet kurrkush në parti, partia humbet forcën”, - ka deklaruar Beja në një prononcim për mediet. Në mesazhin që ai kërkon të përcjellë qëndron fakti se askush nuk mund të mbajë dy kunguj nën një sqetull. “Është e vështirë për një njëri që të drejtojë një dikaster të rëndësishëm, që ka detyrime të mëdha dhe përgjegjësi të mëdha ndaj gjithë popullsisë, jo vetëm ndaj partisë dhe të jesh në gjendje pastaj të ndjekësh dhe këtë. Nuk është e lehtë”, - ka deklaruar anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike. Duke mbështetur këtë ide, Beja thekson se aktualisht vërehet prirja që në parti drejtuesit të jenë të angazhuar në të dy krahët, si në qeveri, ashtu dhe në postet drejtuese partiake. “Përderisa kemi ndryshuar Kodin Zgjedhor në nivel qarku, atëherë kjo duhet të përshtatet dhe te partia. Kështu që ne do të kemi njëkohësisht parti të strukturuar në mënyrë të tillë që të jetë e aftë të konkurrojë, të bëjë fushatë e të fitojë. Kjo është e detyrueshme të shprehet në statut, sepse statuti ngelet i tejkaluar tashmë”, - deklaroi zyrtari i lartë demokrat. Qëndrimi i Bejës vjen në një fazë të rëndësishme të jetës politike partiake të demokratëve. Diskutimi për ndarjen e posteve ministrore nga ato politike në PD është i hershëm.

Grupet e punës

Kryesia e PD-së ka ngritur një grup pune që do të përshtatë statutin e kësaj force me Kodin Zgjedhor. Në mbledhjen e fundit të kryesisë u vendos ngritja e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale të Partisë nën drejtimin e nënkryetarit Astrit Patozi si dhe të Komisionit për Rishikimin e Statutit, të kryesuar nga sekretari i përgjithshëm Ridvan Bode. Ndryshimet do të miratohen në kongresin partiak.

Zgjedhjet

Kongresi i 12 dhjetori në PD veç analizës së zgjedhjeve, veç zgjedhjes së kryetarit, do të sjellë dhe një ristrukturim të organeve drejtuese, siç janë Këshilli Kombëtar, i cili më pas voton kryesinë e PD-së. Zgjedhjet e 28 qershorit, por dhe zhvillimet politike gjatë mandatit të parë, duket se kanë sjellë nevojën për ndryshime në strukturat e larta drejtuese. Kjo është konfirmuar edhe në mbledhjen e fundit të kryesisë së PD-së.

Ristrukturimi i PD-së

Kongresi analizë zgjedhjeve dhe përgjegjësive

Në kongresin zgjedhor të 12 dhjetorit demokratët do të analizojnë rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit, nga ku do të nxjerrin edhe përgjegjësitë. Në mbledhjen e fundit të kryesisë së PD-së, mbajtur më datën 24 të këtij muaji, u vendos që analizat do të shoqërohen me të gjitha korrigjimet e nevojshme në drejtimin e strukturave lokale për të mënjanuar defektet e mundshme të vërejtura në zgjedhjet e 28 qershorit. Zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Kombëtar duket se do të risjellë edhe një herë në skenë grupet rivale brenda PD-së për sa i takon influencës që ata duan të kenë në instancat drejtuese të partisë. E natyrisht kjo duhet filluar që nga Këshilli Kombëtar, pasi ky është organizmi që më pas zgjedh kryesinë e PD-së. Këtu veç zëvendësimeve që mund t’u bëhen shumë emrave aktualë, në këtë strukturë do të hyjnë dhe deputetë të rinj ose anëtarë të tjerë, të cilët, në rast se do kërkojnë karrierë më shumë, detyrimisht duhet të jenë anëtarë të PD-së. Megjithëse në vështrim të parë ajo çka bie në sy është se vendimi i kryetarit nuk para kundërshtohet në strukturat drejtuese, sërish kryesia ka një peshë jo të vogël vendimmarrëse, sidomos kur vijnë zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale, ku anëtarët e kryesisë kanë një peshë jo të vogël në përzgjedhjen e kandidatëve dhe hartimin e listave. Janë ata që përçojnë propozimet e tyre në vesh të kreut të partisë, i cili më pas merr vendim për t’i pasur në konsideratë ose jo si kandidatura. Kjo vendimmarrje bëhet sidomos më e rëndësishme kur vijnë zgjedhjet lokale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›