Ekzaminimet e shtrenjta, pacientët e siguruar do të paguajnë 10% të kostos
Të gjithë pacientët e siguruar do të paguajnë vetëm 10% të çmimit të ekzaminimeve të shtrenjta që bëhen në QSUT. Falas do të jenë për fëmijët 0-1 vjeç, veteranët, pensionistët, të papunët dhe ata me ndihmë ekonomike. Ndërsa për personat e pasiguruar kostoja e këtyre shërbimeve do të mbulohet tërësisht prej tyre.
Rimbursimi
Janë rreth njëmbëdhjetë ekzaminime të shtrenjta që ofrohen në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe për disa kategori Instituti i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor ofron rimbursim të pjesshëm e të plotë. Kështu, i përfitojnë falas fëmijët deri në 1 vjeç, invalidët e luftës, veteranët dhe të sëmurët me tuberkuloz. Sipas të dhënave nga ISKSH-ja, këtyre kategorive nuk u duhet të paguajnë para për të kryer mamografinë, rezonancën magnetike, skaner të llojeve të ndryshme, pasi ato do të rimbursohen në masën 100 për qind nga shteti. Ndërsa për të gjithë personat e siguruar, por që në momentin e kryerjes së analizave do të paraqesin një sërë dokumentesh, do të paguajnë vetëm 10 për qind të vlerës reale për shërbimin e tyre. Pjesa tjetër do të kompensohet nga Instituti i Sigurimeve Shëndetësore, me të cilin pacienti ka lidhur kontratë që prej ditës kur ka nisur të sigurohet.
Shërbimet
Kostoja e këtyre ekzaminimeve në QSUT është realisht e lartë për atë pjesë të pacientëve që nuk janë të siguruar. Ndërkohë që ISKSH-ja ka bërë përjashtime të pjesshme ndaj atyre pacientëve që mund t’i përfitojnë me kontribut minimal dhe atyre që e përfitojnë falas. Në rrugë private ato janë akoma më të shtrenjta. Sipas specialistëve, pjesa më e madhe e pacientëve nuk kanë mundësi që t’i përballojnë këto shpenzime. Nga ekzaminimet e shtrenjta që përfitohen vetëm në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë skaneri, mamografia, litotripsi, koronografi etj. Këto shërbime mund të përfitohen me dokumentet e identifikimit (pasaportë ose certifikatë me fotografi), librezën e shëndetit, rekomandim nga mjeku i përgjithshëm dhe i familjes, rekomandim nga mjeku i spitalit, rekomandim i firmosur nga shefi i klinikës. Duke pasur këto dokumente, në bazë të një vendimi të marrë më parë nga Ministria e Shëndetësisë, të gjithë personat e siguruar duhet të paguajnë vetëm 10% të kostos reale të këtij shërbimi, ndërsa 90 për qind e shumës do të rimbursohet nga vetë Ministria e Shëndetësisë.
Somario
Të siguruarit paguajnë vetëm 10% të kostos së këtyre shërbimeve
Dokumentet
Dokumenti i identifikimit (pasaportë ose certifikatë me fotografi)
Libreza e shëndetit
Rekomandim nga mjeku i përgjithshëm dhe i familjes
Rekomandim nga mjeku i spitalit
Rekomandim i firmosur nga shefi i klinikës
Përfitojnë falas
Fëmijët 0-12 muajsh
Invalidë të plotë
Invalidë të luftës
Veteranë
Të sëmurë me TBC dhe CA
Kostot reale të ekzaminimeve të shtrenjta
Rezonanca magnetike pa kontrast 20.000 lekë
Rezonanca magnetike me kontrast 35.000 lekë
CT Scann 12.500 lekë
CT Scann koke,kolone me kontrast 12.500 lekë
CT scan trupi me kontrast 12.500 lekë
Mamografi 3.000 lekë
Litotripsia 18.000 lekë
Angiografi 40.000 lekë
Koronografi 40.000 lekë
Fibrosteoscopi 3.800 lekë
Fibrocolonoscopi 3.800 lekë
Autizmi
Një në 160 fëmijë, autik
Autizimi është sëmundja që shënon nga viti në vit rritje drastike. Në 10 vitet e fundit statistikat tregojnë një rritje të frikshme të autizmit, ku në 160 fëmijë 1 është autik. Zonja Liri Berisha, e cila është dhe kryetarja e Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë, tregon nismat e fondacionit, për të sjellë në vëmendje këtë sëmundje.
"Një numër shumë i madh aktivitetesh janë duke u organizuar në shumë vende të botës, për të përfunduar në dy prill me aktivitetin që do të mbahet në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork. Nën kujdesin e organizatës më të madhe për autizmin, "Autism Speaks", këtë vit transmetohet në CNN një apel i gjerë për të shtuar përpjekjet mbarëbotërore në të cilën më është propozuar që unë të përfaqësoj Shqipërinë nëpërmjet një spoti të shkurtër televiziv të cilin do të kisha dëshirë ta transmetoja përpara jush. Shifrat e fëmijëve të prekur nga kjo sëmundje janë rritur me hapa shumë të shpejtë në dekadën e fundit dhe njerëzimit i duhet të gjejë forma të reja të trajtimit dhe të identifikimit të hershëm", - tha Liri Berisha, kryetarja e Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë.
Gjithashtu një spot sensibilizimi u shfaq për t’u ndërgjegjësuar të gjithë për autizmin. Ndërsa ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, tregon rastet e para të kësaj sëmundjeje. "Si do ta përkufizonim shkurt çfarë është autizmi infantil? Është një çrregullim ku fëmija nuk është në gjendje të krijojë asnjë lidhje emocionale me njerëzit e tjerë, ka dëmtime të shprehura të aftësive komunikuese dhe manifeston përgjigje bixarre ndaj aspekteve të ndryshme të ambientit. Le të angazhohemi të gjithë së bashku për të përdorur të gjitha teknikat arsimore dhe integruese në shoqëri", - bëri të ditur Anila Godo, ministre e Shëndetësisë.