E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pastrimi i parave, shteti forcon filtrat



Tendenca për të futur në qarkullim para që vijnë nga kanale të dyshimta, apo kriminale, po vjen gjithnjë e në rritje, por rritja e zbulueshmërisë së këtyre rasteve tregon se filtrat ndaj tyre janë më të ndjeshëm. Arben Doçi, drejtor i Drejtorisë së Pastrimit të Parave dhe Drejtoria e Pastrimit të Parave (DPPPP) gjatë analizës së punës për vitin e kaluar, ka deklaruar se janë rritur rastet e dyshuara për pastrim parash. Por nga ana tjetër, është rritur edhe mundësia për t’i zbuluar rastet e dyshimta për pastrim parash. “Rastet në vitin 2008 janë dhjetëfishuar. Në vitin 2008 ka pasur 26 raste, nga 2 që ka pasur në 2007”, - u shpreh Doçi. Por në listën e dyshuar për pastrimin e parave, duket se janë listuar edhe njerëz që i përkasin politikës. Sipas Doçit, në 2008 janë raportuar 152 raste të dyshimta për pastrim parash, nga të cilat kanë rezultuar me elementë të mjaftueshëm dyshimi 60% e tyre. Pas analizimit financiar, janë dërguar pranë organeve ligjore 29 prej tyre. 63 raste të tjera janë ende në proces analizimi. “Shqipëria është ekonomi informale dhe kjo e bën atë mjaft të rrezikuar. Janë me qindra mijëra eurot, dollarët, lekët që janë bllokuar”, - u shpreh Doçi. Sipas tij, nga 25 raste që janë zbuluar gjatë vitit 2008, 21 prej tyre që janë dërguar në prokurori janë për pastrim parash. "Krahasuar me 2007 ka një rritje nga 5, në 46 të çështjeve të dërguara në polici për investigime të mëtejshme. 37 prej tyre janë për dyshime për pastrim parash", - deklaroi Doçi. Sipas raportit të DPPPP-së, 17 raste janë proceduar më tej dhe janë konkluduar në regjistrimin e procedimeve penale pranë Prokurorisë. "Pesha specifike që zënë referimet për çështje të pastrimit të parave është 81 % e të gjithë informacionit të dërguar në Policinë e Shtetit", - tha Doçi. Sipas tij, noterët, ekspertët kontabël e shoqëritë e tregtimit të makinave zunë numrin më të lartë të inspektimeve të kryera, respektivisht 34%, 10% dhe 9.4% të totalit të inspektimeve. Kreu i DPPPP-së theksoi se rëndësi i është kushtuar inspektimeve në terren bazuar në disa kritere, si shkalla e ekspozimit ndaj rrezikut të pastrimit të parave të subjekteve, si dhe sasia dhe cilësia e informacionit që subjektet disponojnë. Zv.ministri i Financave, Florjon Mima, duke vlerësuar punën e bërë nga ky institucion kërkoi angazhim të mëtejshëm të DPPPP dhe rritjen e bashkëpunimit me institucionet e tjera. "Ka ende punë për të bërë për uljen e përdorimit të parave "cash" jashtë sistemit bankar dhe përdorimin gjithnjë e më shumë të kanaleve bankare për kryerjen e transaksioneve, jo vetëm nga shoqëritë tregtare private dhe publike, por edhe nga vetë individët", - theksoi Mima.

Masat administrative, gjoba 23 milionë lekë

Nga DPPPP në 2008 janë dhënë 35 gjoba nga 12 në vitin 2007. Shuma totale e gjobave të dhëna për vitin 2008 është 23.690.000 lekë ose gati 6 herë më shumë se një vit më parë. Gjoba maksimale është 10.000.000 lekë dhe ajo mesatare është 720.000 lekë. Kujdes më i madh i është kushtuar pagimit të gjobave, duke ndjekur të gjitha proceset gjyqësore në të gjitha shkallët e gjykimit. Nga 22 ankime të bëra pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, 15 janë fituar nga DPPPP, 2 nga subjektet e ndëshkuara dhe të tjerat janë në proces. Shkalla e lartë e proceseve të fituara në Shkallën e Parë dhe në Apel është një indikator tjetër i zbatimit rigoroz të ligjit nga ana e DPPPP-së. Për herë të parë në 2008, DPPPP ka propozuar heqjen e licencave për tre subjekte, pranë organeve mbikëqyrëse/licencuese. Një rëndësi të madhe në punën e DPPPP-së ka dhe bashkëpunimi rajonal. Sipas raportit të DPPPP-së, në kuadër të bashkëpunimit rajonal, NjIF shqiptar ka vendosur marrëdhënie mjaft të mira dhe ka shkëmbyer në mënyrë të vazhdueshme informacion me Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë, Serbinë, Slloveninë, Kroacinë dhe Bosnje-Hercegovinën. Përpjekje të vazhdueshme janë bërë dhe për të vendosur një marrëdhënie të qëndrueshme mes NjIF-it shqiptar dhe homologëve italianë dhe grekë, gjë që deri më sot nuk është arritur. Bashkëpunimi rajonal është intensifikuar më tej, me nënshkrimin në datën 29 prill të vitit 2008, në Podgoricë, të protokollit rajonal të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›