Lejet klienteliste të bashkisë, heshtin këshilltarët socialistë
Anëtarët socialistë të Këshillit Bashkiak të Tiranës nuk kanë pranuar të komentojnë mbi akuzat për leje klienteliste të dhëna gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit të Rregullimit të Territorit. Të pyetur nga mediat, ata kanë heshtur, sikurse kanë kryer edhe me planin e rregullimit të territorit të kryeqytetit, që ende është izoluar në zyrën e kryetarit Rama dhe nuk ka kaluar për miratim në Këshillin Bashkiak. Ndërkaq, lëvizja qytetare kundër betonizimit të Tiranës ka zhvilluar dje një protestë përpara bashkisë së kryeqytetit, ku ka akuzuar se lejet e ndërtimit jepen për anëtarët e Këshillit Bashkiak. Duke publikuar disa fakte që lidhin anëtarë të këshillit me subjektet që kanë përfituar lejet, lëvizja e drejtuar nga Altin Goxhaj kërkoi që të shkarkohen të gjithë përgjegjësit. Protesta u zhvillua përballë Bashkisë së Tiranës në formën e një performance, ku parodizohej KRRT-ja, e cila simbolizohej nga një kosh plehrash në të cilën ishin ngjitur 6 lejet e konfliktit të interesit. “Brenda në këtë kosh ndodhet një manekin që simbolizon kryetarin e Bashkisë Tiranë, i cili në vend të kokës kishte një TV, i cili transmetonte 99 herë fjalinë e famshme të tij i pyetur në një emision televiziv, se sipas tij në mbledhjen e fundit të KRRT të Bashkisë së Tiranës nuk kishte asnjë konflikt interesi”, – tha Goxhaj. Në njërën dorë manekini mbante një papagall, i cili, sipas drejtuesve të lëvizjes, simbolizonte modelin e përgjigjeve të papagallit të bashkisë, që akuzon për çdo protestë të qytetarëve partitë politike. Goxhaj paralajmëroi se protesta do të përshkallëzohet këto ditë drejt një denoncimi ligjor në ILKPD.