E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekutimi i Gentian Gashit, shoqërohen 20 persona

DURRËS- Mbetet mister vrasja e biznesmenit Gentian Gashit (Zguri). Me gjithë hetimet e bëra nga prokuroria dhe policia e Durrësit, ende nuk është bërë e mundur identifikimi dhe vënia në pranga e autorëve të krimit. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së këtij qarku dje bënë me dije se ka arritur në 20 numri i personave që janë shoqëruar dhe marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi mesditën e së shtunës në qytetin bregdetar.

Sipas hetuesve të çështjes janë angazhuar një numër i madh agjentësh të policisë kriminale për zbardhjen e atentatit mafioz ndaj 35- vjeçarit. Mësohet se në ndihmë të tyre janë vënë dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit si dhe katër furgonë me forca speciale (FNSH-së). Burimet e mësipërme sqarojnë se Gentian Zguri rezulton person me probleme, ndaj hetimi i çështjes është mjaft i vështirë.

Dyshohet që biznesmeni u ekzekutua nga vrasës me pagesë. Ndërkohë, pohohet që vrasja e viktimës të ketë lidhje me aktivitetin e tij gjatë viteve që ka qëndruar në Itali. Nga ana tjetër, po të njëjtat burime thonë se vrasja e Gentian Gashit (Zguri) mund të ketë lidhje me të shkuarën e tij dhe është bërë për hakmarrje. Një nga pistat e hetimit të policisë është lidhja e 35-vjeçarit me bandën e Durrësit. Efektivat blu dhe prokuroria po hetojnë intensivisht për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje se dhe identifikimin dhe arrestimin e autorëve të krimit.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›