E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutimi i Kekës, vrasësit mund të jenë jashtë vendit

HETIMI/ Burime jozyrtare shprehen se po verifikohen të gjithë personat që kanë kaluar kufirin përmes Hanit të Hotit


SHKODËR - Po verifikohen personat që janë larguar nga vendi përmes pikës kufitare të Hanit të Hotit pas çastit të shpërthimit të automjetit të Aleksandër Kekës. Ky informacion merret nga burime jozyrtare pranë policisë, që cilësojnë se hetimet, të cilat janë të shtrira edhe në Malin e Zi, po përqendrohen edhe në thirrjet e realizuara ditën e vrasjes nga vetë viktima.


Dyshime ka se mund të jetë përdorur celulari për shpërthimin e lëndës plasëse e megjithatë mbeten sërish vetëm dyshime. Pesë ditë pas ekzekutimit të kreut të PDK-së së Malësisë së Madhe, nuk ka një version zyrtar për shkakun e vdekjes së tij apo autorë të dyshuar.


E vetmja gjë që bëhet e ditur është se grupi hetimor i përbërë nga prokurorë e hetues, përfshirë dhe specialistë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, po heton në disa drejtime duke mos përjashtuar asnjë pistë të mundshme që mund të ketë qenë shkak për ekzekutimin me lëndë plasëse të 34-vjeçarit Keka, lëndë kjo e vendosur në mjetin me të cilin ai udhëtonte të enjten e 18 qershorit .


Nga burime jozyrtare mësohet se po shqyrtohen imtësisht të gjithë lidhjet dhe aktiviteti i viktimës, përfshirë dhe angazhimet e tij politike, si dhe ato në bizneset e ndryshme. Janë duke u verifikuar të gjithë personat që nga momenti i shpërthimit e më pas kanë kaluar kufirin përmes pikës doganore të Hanit të Hotit, vetëm 12 km larg vendit të ngjarjes, po ashtu dhe tabulatet telefonike të numrit celular që dispononte viktima.


Mësohet se deri tani nuk ka asnjë të dhënë lidhur me autorin e mundshëm të vrasjes së 34-vjeçarit Keka.
Sipas specialistëve të hetimit, shpërthimi dhe marrja zjarr e mjetit ka humbur pothuajse çdo gjurmë të mundshme.


Akoma nuk është marrë edhe përgjigjja nga laboratori qendror i kriminalistikës në Tiranë lidhur me llojin e sasinë e lëndës plasëse që ishte vendosur në mjetin me të cilin lëvizte Aleks Keka. Po kështu akoma nuk ka një përcaktim të saktë të mënyrës së aktivizimit të lëndës plasëse, që mund të ketë qenë me telekomandë ose telefon celular.


Vrasja e kreut të PDK-së pikërisht gjatë fushatës elektorale, ku ai ishte mjaft i angazhuar ndonëse nuk ishte i përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë të kësaj force politike, duket se ka qenë e mirëmenduar, në mënyrë që të tërhiqet vëmendja dhe të shpërndahet në pista të ndryshme.


Përveç mënyrës së ekzekutimit, mënyrë kjo që nuk përdoret në vrasje që ndodhin në rajonin e Shkodrës, vendi i ekzekutimit është zgjedhur me kujdes nga autorët, vetëm disa metra larg urës mbi përroin e thatë, në drejtim të Shkodrës nga dhe lëvizte viktima dhe në një terren ku nuk ka ndërtime apo aktivitete private afër që të mund të kishin parë ndonjë element të krimit. Sipas ekspertëve përkatës, krimi ka qenë një vrasje me paramendim dhe e organizuar deri në detaje.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›