E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet drogë në burgun e sapoinauguruar

23/06/2009  Nën hetim të gjithë punonjësit. Ishte lënë në tarracën e ofiçinës

DURRES- Ka dështuar përpjekja e një shpërndarësi droge në mjediset e vuajtjes së dënimit për të dërguar në destinacion një porcion droge. Efektivi blu i shërbimit në Institucionin e vuajtjes së dënimit në Durrës, pranë ish-Kënetës, ka zbuluar se në tarracën e një objekti kishte një qese të dyshimtë. Godina është e gjitha e rrethuar dhe vrojtohet në çdo cep të saj nga rojet që qëndrojnë në kullat e larta me shërbim 24-orësh.

Droga

Rreth orës së mbrëmjes një nga këto efektiva gjatë patrullimit të tij në tarracën e ofiçinës së kësaj qendre që qëndron mënjanë institucionit të vuajtjes së dënimit, është zbuluar një sasi droge. Edhe ky objekt është brenda territorit të burgut dhe për këtë arsye kanë nisur menjëherë hetimet për të zbuluar personin që e ka futur lëndën e ndaluar narkotike brenda institucionit. Burime zyrtare thonë se sasia e drogës është 11.5 gr. dhe se ishte e paketuar në një qese farmaceutike. Nga hetimet paraprake agjentët e antidrogës mendojnë se lloji i lëndës së ndaluar është cannabis sativa. Qesja ishte vetëm 3 m larg nga rrethimi dhe kjo mjafton për të pohuar se personat që e kanë futur në tarracën e ofiçinës kanë mundur të depërtojnë deri tek ai vend në sajë të bashkëpunimit me një punonjës të institucionit. Nuk është bërë e qartë nëse ndonjë nga punonjësit me uniformë policie, apo mjek e infermierë janë vënë nën dyshime, ndërsa grupi hetimor ende nuk ka dhënë asnjë shpjegim. Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale është përuruar vetëm disa ditë më parë dhe në të shërbejnë rreth 220 punonjës në administratë dhe se pjesa më e madhe janë efektiva të policisë, ndërsa pjesa tjetër mjekë, infermierë, psikolog, farmacist, llogaritarë, financierë, juristë etj. Ky është rasti i parë që në këtë institucion shumë të rëndësishëm të kapet drogë në tentativë për të depërtuar për konsum tek të dënuar për vepra të ndryshme penale nga vjedhjet deri tek vrasjet e pengmarrjet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›