Ekzekutimi i biznesmenit në Fier, për një vrasje në ‘97 në Athinë
Policia e Fierit arreston Agim Hykën për vrasjen me 14 plumba të biznesmenit Spartak Spaho. Dyshohet se krimi ka si motiv hakmarrjen, pasi autori akuzonte Spahon për vrasjen e të atit 14 vite më parë në Athinë
Fier Katërmbëdhjetë plumba për një vrasje të ndodhur 14 vite më parë në Athinë. Policia e Fierit pohoi dje se ekzekutimi i biznesmenit Spartak Spaho ka ndodhur për hakmarrje, ndërsa është arrestuar si autor 33-vjeçari Agim Hyka, banor i fshatit Povelçë. Makina e djegur e atentatit, e braktisur pranë këtij fshati, ka çuar policinë në gjurmët e autorit të krimit, i cili akuzonte Spahon se i kishte vrarë babanë në kryeqytetin grek. Zëdhënësja e policisë së Fierit, Valbona Meço tha dje në një deklaratë për mediat se Agim Hyka, në bashkëpunim me persona të tjerë dyshohet se ka vrarë me armë zjarri Spartak Spahon, ngjarje kjo e ndodhur përpara hotel “Vjosës” më 2 dhjetor. Burime nga policia kanë pohuar se pista e hetuar është ajo e hakmarrjes, bazuar mbi një vrasje të kryer në kryeqytetin grek Athinë, ku si autor i dyshuar ka qenë viktima Spaho. Pas ekzekutimit në qendër të Fierit, policia i fokusoi hetimet tek aktiviteti si biznesmen i viktimës, por edhe tek dyshime të tjera që binin mbi të kaluarën e tij. Por dëshmitë e mbledhura dhe të dhënat operative devijuan pistën e hetimeve, duke shkuar drejt gjurmëve të njërit prej autorëve. Burime nga policia e Fierit i thanë MAPO-s se autori i vrasjes, pasi kishte qëlluar mbi viktimën nga autovetura që ishte në ecje, kishte ndalur mjetin dhe kishte zbritur prej tij. Dëshmitë kishin specifikuar se vrasësi me maskë në kokë kishte qëlluar sërish mbi viktimën e shtrirë përtokë, duke shoqëruar të shtënat me britma urrejtjeje dhe inati. Pasi ishte bindur për vdekjen e Spahos, ai ishte rikthyer në makinë, ku ndodheshin edhe persona të tjerë dhe ishte larguar me shpejtësi nga vendi i krimit. Pak orë pas ekzekutimit, policia u njoftua për djegien e një makine në fshatin Shën Pjetër, fshat ky afër vendbanimit të autorit të dyshuar. “Pas këtij episodi është ngushtuar rrethi i hetimeve, duke punuar mbi hipotezën se autorët mund të ishin nga kjo zonë dhe se mjeti ishte braktisur prej autorëve të dyshuar, pas largimit me shpejtësi nga vendi i ngjarjes”, -thanë burime nga grupi hetimor. Më pas janë hapur dosjet e vjetra ku përmendej emri i viktimës, në të cilat është gjendur edhe vrasja e ndodhur 14 vite më parë në Athinë, çka ka lidhur pjesët e munguara në ngjarjen e ndodhur në qendër të Fierit. I arrestuari Agim Hyka jetonte mes Greqisë dhe Fierit, ndërsa babai i tij, Skënder Hyka ishte vrarë në Athinë në vitin 1997. Policia e Fierit u tregua e rezervuar dje për të dhënë detaje mbi motivet e kësaj vrasjeje të vjetër, por konfirmohet se familjarët e viktimës akuzonin Spartak Spahon si autor të ngjarjes. Skënder Hyka punonte si shofer taksie në linjën Fier-Athinë, ndërsa në vitin1997, ekzekutimi u cilësua për motive të dobëta. Dosja për këtë ngjarje u fut në fondin e dosjeve pa autor dhe u arkivua në organin e akuzës.