Izolohet në mes të lumit bariu 63-vjeçar
Një 63-vjeçar nga Shënkolli ka mbetur i izoluar për orë të tëra në mes të lumit Mat gjatë ditës së djeshme. Vërshimi i shpejtë i ujërave në lumin Mat ka lënë të bllokuar Dedë Dedën, i cili ishte duke kullotur bagëtitë. Thirrjet e tij për ndihmë i kanë dëgjuar banorët e zonës, të cilët kanë lajmëruar menjëherë policinë. Polumbarë të forcave RENEA dhe forcat e policisë kanë mbërritur në vendngjarje në orën 13:00 të mesditës së djeshme, por shpëtimi i Dedës është bërë i mundur vetëm në orët e pasdites. Për orë të tëra, forcat speciale janë përpjekur të nxjerrin 63-vjeçarin nga lumi, por rrjedha e rrëmbyer ua ka vështirësuar punën. Nga ana e tij, bariu u ka kërkuar punonjësve të policisë të bëjnë kujdes, por ata nuk e kanë ndërprerë punën për shpëtimin e tij.