Qeni antidrogë zbulon 6 kg hashash në Kakavijë
Arrestohet Anestis Nikolla, i cili po trafikonte lëndën narkotike në drejtim të Athinës. Në shtëpinë e tij policia sekuestron edhe 2 kg të tjerë
Policia e Gjirokastrës ka bllokuar 8 kilogramë hashash, ndërsa 6 kilogramë të kësaj sasie do të trafikoheshin në drejtim të Greqisë. Faza e parë e operacionit antidrogë është zhvilluar në stacionin kufitar të Kakavijës. “Orët e vona të ditës së hënë ne morëm një informacion në rrugë operative, sipas të cilit, një automjet tip ‘Benz’ me targa të Tiranës do të tentonte të transportonte në drejtim të Greqisë një ngarkesë me lëndë narkotike”, - thonë burimet policore në Kakavijë. Në këtë situatë, efektivat e policisë kufitare kanë përforcuar shërbimet e kontrollit në stacionin kufitar të Kakavijës. Rreth orës 22:00 të së hënës ka mbërritur automjeti i dyshuar, për të cilin bënte fjalë informacioni se mund të transportonte lëndë narkotike. Në automjetin tip “Benz” me targa TR 2120 I, që drejtohej nga 41-vjeçari Anestis Nikolla, lindur në Memaliaj dhe banues në Jorgucat të Gjirokastrës, policia ushtroi një kontroll të imtësishëm. “Duke qenë se kishim dyshime të forta për një rast të mundshëm të transportit të lëndëve narkotike me destinacion Greqinë, gjatë kontrollit të mjetit ne përdorëm edhe qenin antidrogë”, - thonë burimet policore. Pas disa minutash kontrolli, poshtë sediljes së pasme të makinës efektivat e kufirit zbuluan 6 pako në formë cilindrike të mbështjella me letër natriban, me peshë të ndryshme, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike marijuanë. Është bërë shoqërimi për në policinë lokale të drejtuesit të mjetit, 41-vjeçarit Nikolla. Paralelisht me intervistimin e drejtuesit të mjetit, specialistët e antidrogës kanë ushtruar një kontroll në banesën e tij, ku kanë gjetur edhe 2 kilogramë të tjerë hashash. “Sasia e lëndës narkotike u zbulua në dhomën e gjumit, në një kuti kartoni ku ndodhej një qese plastmasi e mbushur me lëndë narkotike. Gjithashtu, në këtë qese u gjetën edhe tri qese të tjera ku brenda tyre kishte sasi lënde narkotike, të cilat përdoreshin si mostra për t’ua treguar personave që mund të blinin lëndën narkotike”, - thonë burimet policore. Sipas grupit hetimor, sasinë e drogës ai e kishte blerë në fshatin Lazarat dhe do ta trafikonte më pas në kryeqytetin grek, Athinë. B.Shehu