Alarm fals për bombë, panik në shkollën e Orikumit
Policia gjen tuba të lyer me bojë, për t’u dukur si kallëpe dinamiti. Zyrtari i Arsimit: Dyshojmë se e kanë bërë nxënësit
Vlorë Një alarm fals për bombë në shkollën e mesme të përgjithshme “Hasan Pulo” në Orikum ka sjellë pezullimin e mësimit. Ka qenë fillimisht pastruesja e shkollës ajo që ka dhënë alarmin në mëngjes, pasi ka parë se në hyrje të shkollës ishte vendosur një objekt në formë kallëpi. Menjëherë është lajmëruar policia, ndërsa nxënësit dhe stafi pedagogjik nuk janë lejuar të hyjnë brenda ambienteve të shkollës. Pas mbërritjes së ekspertëve të policisë është mësuar se objekti i dyshimtë ishte një tub i lyer me bojë, i cili ngjante me kallëp dinamiti. Pavarësisht kësaj, mësimi në shkollën “Hasan Pulo” nuk ka rifilluar. Përfaqësues të drejtorisë arsimore thanë se kanë marrë njoftimin që në orët e para të mëngjesit dhe është njoftuar policia. Ata kanë qenë dje në ambientet e shkollës, ndërsa kanë hedhur dyshimet se situata mund të jetë përgatitur nga vetë nxënësit. Mendohet që ngjarja është thjesht një “shaka” e nxënësve për të shmangur zhvillimin e mësimit. Ka qenë e pamundur dje të kontaktoje me drejtues të shkollës, pasi ata kanë urdhëruar të largoheshin mediat nga ambientet e brendshme. Mësuesit, gjithashtu nuk kanë dhënë shpjegime. Klasat kanë mbetur të boshatisura, ndërsa gjithë ngjarja duket se është përcjellë jo pa panik. Kostandin Taço, shef i burimeve njerëzore në Drejtorinë Arsimore të Vlorës, ndodhej dje së bashku me kreun e kësaj drejtorie në oborrin e shkollës së mesme të Orikumit. I pyetur nga mediat, ai tha se kanë ardhur në shkollë menjëherë pas marrjes së njoftimit, ndërsa në respektim të procedurave është dhënë njoftimi edhe në ministrinë e linjës. Më pas është kuptuar se ka qenë alarm i rremë. “Bëhej fjalë për disa tuba të lidhur me njëri-tjetrin, të cilët ishin vendosur tek dera e jashtme e shkollës. Dyshohet se kjo mund të jetë bërë nga vetë nxënës të shkollës”, - tha ai. E. Haruni