Ekzekutimi i pogradecarit, policia ka 30 të dyshuar
Policia e Korçës ka zgjeruar pistat e hetimit për ekzekutimin para dy ditësh të pogradecarit Avni Hoxha, në një nga rrugicat e qytetit. Burimet e policisë kanë bërë të ditur se po hetohet paralelisht në tri pista kryesore, atë për larje hesapesh, gjakmarrjes dhe atë për konflikte të vjetra që ka pasur viktima. Sipas të dhënave të policisë, në dhjetë vitet e fundit viktima ka pasur konflikte të shumta, ndërkohë që më parë ka qenë i dyshuar për vrasje dhe i dënuar për një tentativë vrasjeje. Në cilësinë e të dyshuarit, për autorësinë e këtij krimi policia ka shoqëruar të paktën 30 persona. Sipas burimeve të policisë, pista e gjakmarrjes mbetet një nga versionet mbi motivin e vrasjes, nisur nga fakti se viktima dyshohet se ka kryer një vrasje në vitin 1997, për të cilën nuk është dënuar. Por, nga ana tjetër, viktima ka pasur precedentë të tjerë penalë dhe njihej si problematik në zonën e Pogradecit, ku thërritej me nofkën Nino. Avni Hoxha ka qenë i dënuar më parë për vrasje të mbetur në tentativë të kryer në vitet ‘80, ndërkohë që sipas policisë e kaluara e errët e viktimës ka bërë që të ngrihen disa versione dhe pista hetimi. Burimet e policisë kanë thënë se ai ka pasur konflikte të shumta dhe sherre, ndërsa njihej si "i forti" i Starovës. Për Policinë e Korçës, personi që ka ekzekutuar Hoxhën ka qenë i vetëm. Sipas të njëjtave burime, autori mund të jetë nga e njëjta zonë me viktimën dhe e ka ndjekur atë deri në qytetin e Korçës, ku dhe ka mundur të kryejë krimin në mungesë të dëshmitarëve. Xhami gjysmë i hapur i makinës në anën e shoferit, në drejtim të të cilit kanë qenë edhe plumbat, sipas policisë lë dyshime se viktima e ka parë autorin në kthesë dhe ai mund të ketë qenë një i njohur i tij, madje dyshohet se viktima mund t‘i ketë folur përpara se autori të zbrazte mbi të një karikator pistolete. Sipas policisë, ka edhe elementë të tjerë, që vërtetojnë se viktima dhe vrasësi kanë folur me njëri-tjetrin.