E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, greku vdiq nga droga që provoi para se ta blinte

I riu grek, Vasilios Gaxellos, ka vdekur nga droga që konsumoi për t‘i provuar cilësinë, përpara se ta blinte nga "tregtarët" e fshatrave të Sarandës. Arben Isufi, një nga personat që ka shoqëruar grekun Gaxellos gjatë udhëtimit të tij në kërkim të drogës, ka treguar për policinë detajet e ngjarjes. I ndaluari Arben Isufi ka pohuar gjatë hetimeve të para se greku Vasilios Gaxellos ka blerë nga një banor i Konispolit një ditë para vdekjes një shishe me lëndë narkotike të llojit metadon, që klasifikohet në drogat e forta dhe të shtrenjta, por që në Konispol mund ta blesh lirshëm, si të bëhej fjalë për një shishe mjaltë, apo qumësht.

Skemën se si vepronin eksponentët e rrjetit të përbashkët të narkotrafikut ndërkombëtar, nga kjo anë dhe nga ajo anë e kufirit, e ka zbuluar vetë 19-vjeçari Isufi. Referuar komunikatës së djeshme, nxjerrë nga Komisariati i Policisë së Rendit në Sarandë, rezulton se bashkë me viktimën Gaxellos ishte edhe një tjetër shtetas grek, të cilit i dihet vetëm emri Panajotis. Të dy këta mësohet të kenë hyrë në territorin shqiptar nëpërmjet Qafëbotës, që më 13 shkurt, por duke iu shmangur shërbimit policor. Në shoqërinë e tyre kanë qenë edhe vetë Arben Isufi, nga fshati Markat, i cili mësohet të ketë qenë i akuzuar në Greqi për "trafik narkotikësh", por që paska marrë pafajësi më 8 nëntor të vitit 2008. Arbeni ka deklaruar se ka ardhur në zonën e Markatit me dy shtetasit grekë dhe qëllimi i tyre ka qenë "për të blerë lëndë narkotike të llojit hashash". Të tre kanë drekuar në Konispol, ku Gaxellos ka konsumuar uzo. Në qytetin e Konispolit mësohet që Gaxellos ka blerë nga një vendas një shishe të dyshuar se përmbante lëndë narkotike të llojit metadon.

Në "shoqërinë" e tyre kanë hyrë edhe dy shtetas të tjerë shqiptarë, Muharrem Aliu, i datëlindjes 1981 dhe Refat Hasani, i datëlindjes 1953. Pasi kanë konsumuar alkool në sasi të mëdha dhe cigare hashashi, dy grekët kanë fjetur në shtëpinë e këtij të fundit. Rreth orës 12.45 minuta të ditës së nesërme, tre shqiptarët dhe greku Panajotis kanë konstatuar vdekjen e Gaxellos në banesë, të cilën kanë vendosur ta mbajnë të fshehtë, pasi shoku i tij grek ka marrë përsipër ta nxjerrin kufomën deri në kufi me kafshë transporti dhe që andej do të vazhdonte udhëtimi për në Igumenicë me makina, përmes lidhjeve të grekut. Rreth orës 02.00 të 15 shkurtit ata kanë bërë transportimin e kufomës me kafshë, gjë që është provuar edhe nga qime velenxe, që kanë gjetur hetuesit në veshjen e Gaxellos. Duke qenë se këto lidhje nuk i janë përgjigjur, trupi i pajetë është lënë në brezin e gjelbër, në afërsi të piramidës kufitare numër 54 dhe ndërkohë që greku ka udhëtuar si klandestin për në Igumenicë, bashkëpunëtorët e tij shqiptarë janë kthyer për në shtëpitë e tyre, në fshatrat e Komunës së Markatit.

Nga kryqëzimi i informacionit të marrë prej policisë greke, që konfirmoi se Gaxellos ishte i skeduar si përdorues lëndësh narkotike, me sendet e gjetura si radio me kufje, telefona etj., është krijuar mendimi se fjala ka qenë për një grup të strukturuar dhe funksional në hapësirën kufitare midis dy shteteve, me objekt grumbullimin dhe përdorimin e trafikimin e drogave të forta. Kjo është përforcuar edhe nga kontrolli që u është bërë prej Policisë së Sarandës banesave të personave shqiptarë, të përfshirë në këtë tregti, në fshatrat Ninat e Markat. Ndërkohë që vazhdon "rrëfimi" në hetuesi i Arben Isufit, të prangosurit të vetëm deri tani, vijon edhe kërkimi i Refat Hasanit e Muharrem Aliut nga Markati dhe Dritan Zotos nga Konispoli.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›