Sulm ndaj policit tek ambasada greke
Një aplikant për vizë tek ambasada greke ka përfunduar në pranga, pasi ka sulmuar dhunshëm duke plagosur një polic, teksa ky i fundit po kryente detyrën. Jani Velia e ka goditur policin me tulla dhe gurë, duke i shkaktuar plagë në fytyrë e në kokë, pasi uniforma blu i kishte kërkuar të largohej nga objekti që kishte në ruajtje. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës bënë të ditur se u bë arrestimi i shtetasit Jani Velia, 34 vjeç, lindur dhe banues në Peshkopi. Arrestimi i tij u bë pasi dje, rreth orës 13.00, në rrugën "Frederik Shiroka", në afërsi të ambasadës greke, pas një konflikti ka kundërshtuar me dhunë dhe më pas ka goditur punonjësin e policisë së objekteve, Baftjar Mihajn, 50 vjeç, lindur në Përmet dhe banues në Tiranë. Pasi u kryen veprimet hetimore, rezultoi se autori ka goditur me sende të forta, si tulla dhe gurë, kabinën e shërbimit roje të punonjësit të policisë dhe për pasojë janë thyer xhamat. Nga thyerja e xhamave është dëmtuar në kokë dhe fytyrë punonjësi i policisë. Materialet do t‘i kalojnë prokurorisë, për veprat penale të "kundërshtimit", "goditjes për shkak të detyrës" dhe "shkatërrimit të pronës".