E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjiri i "Gjeneralit", drejt gjykatës

Skandali me mbivendosjet e pronave në vendin e quajtur gjiri i "Gjeneralit" në Kavajë do të përfundojë së shpejti në dyert e gjykatës. Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë dje se në ditët në vijim do të thirren në prokurori gjashtë personat e marrë të pandehur. "Personat përgjegjës për mbivendosjen e 48 hektarëve tokë-truall në Komunën Synej në Kavajë do të thirren në prokurori për t‘u njohur me përfundimin e hetimeve. Kemi në dorë të gjitha dokumentet dhe kemi bindjen e plotë se ata janë përgjegjësit", deklarojnë burimet nga akuza kryeqytetase. Sipas tyre, gjykata do të vlerësojë provat dhe do të vendosë nëse të pandehurit i kanë kryer procedurat e mbivendosjes së pronave. Në fakt, skandali i tjetërsimit të pronës në gjirin e "Gjeneralit" është zbehur nga Prokuroria e Tiranës. Fillimisht, hetuesit e çështjes i hetuan në "themel" të gjitha faktet. Madje shkuan në zonën ku ndodheshin pronat dhe konstatuan se zyrtarët e AKKP-së dhe një biznesmen, krahas mbivendosjes së pronës, kishin spostuar dhe zmadhuar pronën në fjalë në afërsi të bregdetit. Pas konstatimit, hetuesit u bindën se falsifikimi i dokumenteve përbënte vepër penale dhe vunë nën akuzë 6 persona. Më pas u diskutuan kolegjialisht masat e sigurisë për përgjegjësit. Hetuesit e çështjes shprehën bindjen se veprimet e tyre ishin të parregullta dhe dëmi llogaritej rreth 24 milionë euro. Nga provat e mësipërme hetuesit propozuan që masat e sigurisë të ishin "arrest në burg". Por ato janë zbehur nga drejtuesit e Prokurorisë së Tiranës, të cilët vendosën që masat e sigurisë ndaj të akuzuarve të ishin më të buta. U vendos për katër të pandehur masa "arrest shtëpie", ndërsa për biznesmenin Alban Xhillari prokuroria kërkoi një garanci pasurore dhe detyrim paraqitjeje. Gjithashtu, organi i prokurorisë kërkoi masën detyrim paraqitje edhe për ish-kreun e AKKP-së, Tunxh Vatnikaj. Të gjitha masat e sigurisë të kërkuara nga prokuroria janë miratuar nga gjykata. Tashmë pritet vetëm zyrtarizimi i dërgimit të dosjes në gjykatë për të përfunduar hetimin disamujor të skandalit të pronave në gjirin e "Gjeneralit".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›