E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëna në polici: Më kanë trafikuar vajzën

Një nënë ka denoncuar në polici të dashurin e vajzës së saj, pasi dyshon se ai e ka dërguar në Itali, me qëllim për ta trafikuar. Burimet zyrtare nga Policia e Tiranës bënë të ditur se te seksioni kundër trafiqeve të paligjshme, dje në drekë ka bërë kallëzim Ermira Balliu, 53 vjeçe, lindur dhe banuese në rrugën "Jordan Misja". Në denoncimin e saj, ajo ka deklaruar se tri ditë më parë është larguar nga banesa vajza e saj, Enkelejda Basha, 25 vjeçe, lindur dhe banuese në adresën e mësipërme, me arsim 8 klasë. Sipas denoncimit, 53-vjeçarja ka marrë informacion se vajza e saj është larguar në Itali me Fatjon Spahiun, 25 vjeç, lindur në Çorovodë dhe banues në rrugën "Gjergj Muzaka" në Tiranë. Të dy këta persona kanë bashkëjetuar më parë, kundër dëshirës së familjes së vajzës. Në kallëzim, Ermira Balliu dyshon se Fatjon Spahiu e ka marrë dhe trafikuar në Itali, për qëllime prostitucioni. Policia tha se e ka vlerësuar këtë kallëzim dhe pasi kreu veprimet e para hetimore, materialet ia kaloi Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për veprën penale të "trafikimit të femrave".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›