Ekzekutimi, vritet dhe hidhet në liqenin e Farkës taksisti
Një taksist është vrarë me armë dhe më pas është djegur në makinën e tij në Tiranë. Sipas burimeve nga policia, viktima është Ramazan Hyka, rreth moshës 35-vjeçare. Ngjarja ndodhi në mbrëmjen e ditës së djeshme. Hyka u gjend në bagazhin makinës së tij, i hedhur në liqenin e Farkës, në po të njëjtin vend ku pak kohë më parë ndodhi tragjedia e Farkës, ku humbën jetën 16 persona. Burime nga policia shprehen se shkaqet e vrasjes janë të paqarta. Kanë qenë kalimtarë të rastit, të cilët kanë parë një makinë të djegur, që kishte përfunduar në liqen. Menjëherë është lajmëruar policia, e cila ka mbërritur në vendngjarje. Pasi u nxor mjeti nga liqeni, u bë edhe kontrolli i saj. Punonjësit e policisë nuk e kanë dalluar fillimisht viktimën. Më pas, kur ata kanë hapur bagazhin makinës, kanë parë një trup njeriu, të djegur, i cili kishte edhe plagë në trup, të shkaktuara si pasojë e goditjes me armë. Viktima është gjendur në pjesën e pasme të makinës. Ai ishte mbyllur në bagazhin e saj. Autorët e krimit e kanë qëlluar atë disa herë, duke i shkaktuar atij vdekjen. Më pas, ata, pasi e kanë futur në bagazh, i kanë vënë flakën makinës. Sipas hetuesve, kjo është bërë me qëllim që të mos lënë asnjë gjurmë në vendin e krimit. Rreth orës 16:30, banorë të zonës kanë parë një makinë të hedhur në liqen. Vendi ku u gjet makina, ishte në një rrugicë të zonës, ku nuk kalojnë shumë njerëz apo makina. Kjo është shfrytëzuar nga autorët, të cilët kanë çuar deri në fund ekzekutimin pa u diktuar. Banorët e zonës nuk kanë arritur që të dallojnë as flakët, në të cilat u përfshi makina dhe ngjarja u zbulua vetëm nga disa kalimtarë. Kjo, pasi në vendin ku u gjet viktima, shkohet vetëm me anë të një rrugice, e cila ndërpritet dhe të nxjerr direkt buzë liqenit. Sipas burimeve nga policia, viktima Hyka kishte disa kohë që punonte si taksist në kryeqytet. Ai përdorte makinën e tij personale, tip “Mercedes-Benz” dhe ishte i palicencuar. Nga policia u ngrit një grup pune, i cili po merret me zbardhjen e shkaqeve të kësaj ngjarjeje. Hetuesit bënë këqyrjen e vendit të ngjarjes. Gjithashtu, u morën dëshmitë e para nga banorët e zonës përreth. Sipas burimeve nga policia, shkaqet e vrasjes janë ende të paqarta. Hetuesit po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.