E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rifillojnë reshjet e borës, mblidhet Shtabi i Emergjencës



Me rifillimin e reshjeve të borës është mbledhur Shtabi Qendror i Emergjencave Civile, që vendosi të merrte disa masa për të normalizuar situatën.

Shtabi kryesohet nga zëvendëskryeministri, Genc Pollo, si dhe anëtarët e tjerë, ministri i Brendshëm Bujar Nishani, ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa, ministri i Ekonomisë dhe Energjitikës Genc Ruli, ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi, ministri i Bujqësisë Jemin Gjana, ministri i Arsimit dhe Shkencës Fatos Beja, ministrja e Shëndetësisë Anila Godo e ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave Lufter Xhuveli, si dhe pjesëtarë të tjerë.

Gjatë mbledhjes u vendos që 6 automjetet borëpastruese të Xhenios që disponojnë Forcat e Armatosura, të dislokohen në segmentin Pukë – Fushë-Arrëz – Shën Mëri – Kukës, Rrëshen – Lurë, Bulqizë – Maqellarë e komunat e Librazhdit. Këto automjete do të mbështesin duke filluar nga dita e premte në mëngjes përpjekjet e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve që ka angazhuar të gjithë parkun e saj në këto akse rrugore. Mjetet speciale shtesë do të angazhohen duke filluar nga dita e sotme për ngritjen e 6 shtyllave të tensionit të lartë (110kv) të rrëzuara nga furtuna në segmentin Lezhë – Bushat në mënyrë që të rifillojë furnizimi me energji elektrike i zonave të prekura nga avaria. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, me përmirësimin e pjesshëm të motit, do të rifillojë mësimin në disa shkolla, por disa shkolla do të mbeten ende të mbyllura përkohësisht deri në datën 12 janar. Në rrethin e Dibrës, me përjashtim të qytetit Peshkopi dhe komunës Maqellarë; në komunën Fan dhe qytetin e Rubikut, Mirditë, në rrethin e Kukësit 16 shkolla në komunat Kolsh, Malzi, Zapot, Ujmisht, Bushtricë, Grykë-Caje, Arren; në rrethin e Hasit 7 shkolla në komunat Golaj, Perollaj, Kostur, Tregtan, Metaliaj, Gjinaj, Kishaj; në rrethin e Elbasanit 6 shkolla në komunën Shmil; në rrethin e Tropojës 20 shkolla në komunat Margegaj, Bytyç, Tropojë, Llugaj, Fierzë, Bujan, Lekbibaj; në rrethin e Librazhdit do të ndërpritet mësimi, përveç shkollave në qytetin e Librazhdit e komunave Rajcë, Qukës, Polis dhe Hotolisht. Ministria e Shëndetësisë do të dërgojë medikamente e ndihmë mjekësore në të gjitha krahinat ku është evidentuar mungesa e tyre dhe do t’u jepet përparësi zonave të bllokuara.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›