Takimi; Marshimi i Paqes, ministri Alibeaj mbështet nismën e FDE-së
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, shprehu dje mbështetjen për nismën e ndërmarrë nga Forumi për Demokraci dhe Etikë (FDE), për ta shpallur 17 janarin si ditë lutjeje dhe reflektimi kombëtar. Gjatë një takimi me përfaqësues të Forumit për Demokraci dhe Etikë, ministri Alibeaj pranoi ftesën e tyre për të marrë pjesë në Marshimin e Paqes, që do të organizohet më 17 janar në Tiranë. Përmes kësaj nisme, Forumi për Demokraci dhe Etikë (FDE), sipas drejtorit ekzekutiv të saj, Arjan Galdini, synon që qytetarët shqiptarë dhe bashkë me ta dhe politikanët, të bëhen pjesë dhe autorë të Aleancës së Madhe të Mirëkuptimit. Sipas tij, të gjithë qytetarët, demokratë dhe socialistë, monarkistë dhe republikanë, besimtarë dhe laikë duhet të marrin pjesë në datën 17 janar në këtë lëvizje shprese kombëtare.
Gjykatë
Mbërrin për gjykim droga e operacionit “Hasta la Vista”
Në Gjykatën e Krimeve të Rënda është regjistruar për shqyrtim çështja penale ndaj shtetasve Egland Muka dhe Eduart Smajli, të akuzuar për veprën penale të "trafikut të lëndëve narkotike". Fakti bëhet i ditur nga burime zyrtare pranë kësaj gjykate, të cilat shtuan se për këtë dosje u hodh dje shorti dhe u përcaktua gjyqtari që do kryesojë gjykimin. Muka dhe Smajli u arrestuan në tetor të vitit të kaluar në Tiranë, në një operacion të Policisë së Shtetit, të koduar "Hasta la Vista", me rreth 500 gramë lëndë narkotike e llojit kokainë. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila realizoi hetimet për këtë çështje, droga kishte ardhur në Shqipëri përmes një pakoje të dërguar në rrugë postare nga Argjentina. Zbulimi i këtij trafiku është mundësuar në sajë të bashkëpunimit të strukturave hetimore shqiptare me ato perëndimore.