E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, në pranga një shqiptar, akuzohet për vrasjen e një studenti



Policia italiane ka arrestuar një shqiptar, i cili dyshohet se është autori i vrasjes së një studenti. Sipas mediave italiane, në pranga ka rënë 21-vjeçari Nebi Smoqi nga Shqipëria. Sipas hetuesve italianë, ai dyshohet se është autori i vrasjes së një studenti italian 30-vjeçar, Luixhi del Percio. Ngjarja ka ndodhur para një biblioteke në Trento dhe viktima është qëlluar disa herë me thikë. Sipas dëshmitarëve, shqiptari është parë të diskutojë ashpër me viktimën para bibliotekës. E pikërisht në këtë vend është gjetur dhe trupi i 30-vjeçarit të plagosur rëndë. I riu është çuar menjëherë në komisariat, ku dhe është marrë në pyetje nga hetuesit. Ende nuk është gjetur arma e krimit, me të cilën ndodhi vrasja, por në shtëpinë ku banonte 21-vjeçari u gjet një kapele e kuqe, të cilën sipas dëshmitarëve e mbante edhe agresori.

Del Percio studionte arkeologji në Perugia dhe kishte shkuar në Trento me tren, për të marrë një libër nga biblioteka. Ai u gjet në gjendje shumë të rëndë tek shkallët e bibliotekës nga disa kalimtarë rreth orës 14:00 të së mërkurës. U transportua në spital, por vdiq disa orë më vonë për shkak të plagëve të rënda të marra në trup, si pasojë e goditjes me thikë.

Dëshmitë

Nga dëshmitë e marra pak më përpara orës 14:00 të së mërkurës, para hapjes së bibliotekës, ishin parë dy të rinj që po debatonin përpara ndërtesës së mbyllur. Dëshmitari që ishte gati 30 m larg ka vënë re që njëri prej të dyve e ka kapur tjetrin nga trupi dhe pastaj ka nxjerrë nga xhaketa një mjet të shndritshëm dhe me të ka qëlluar kundërshtarin. Më pas, viktima ka rënë në tokë, ndërsa agresori është larguar nga vendi i ngjarjes. Persona të tjerë e kanë parë atë me një çantë të errët, të njëjtën që kishte edhe studenti dhe që mbante edhe një kapele të kuqe në kokë.

Policia

Karabinierët, pasi arritën që të merrnin dëshmitë, në mbrëmje kanë shkuar në shtëpinë e gjyshërve të të riut shqiptar, ku kanë bërë një kontroll. Aty ata kanë gjetur një kapele të kuqe, si dhe një palë xhinse me njolla që dyshohet se janë njolla gjaku, të cilat ishin vendosur brenda në lavatriçe për t’u larë.

Këto pantallona janë dërguar menjëherë në laborator për t’iu bërë një ekspertizë, për të parë nëse ishin njolla gjaku apo jo. I riu është çuar në komisariat, ku i është nënshtruar një hetimi të gjatë. Ai ka mohuar se ka qenë në bibliotekë, por nuk ka arritur që të tregojë se ku ka qenë gjatë orarit 13:30-15:00 të së mërkurës.

Sipas mediave italiane, nuk ka asnjë ide në lidhje me shkaqet e krimit. Gjithashtu, ende nuk është gjetur arma e krimit. Dëshmitarët shprehen se e kanë parë shqiptarin me një çantë të errët, që i përkiste edhe studentit të vrarë, Del Percio, që po largohej nga biblioteka.

Nga hipotezat nuk përjashtohet që krimi të ketë ndodhur për grabitje, por çanta ende nuk është gjetur nga karabinierët.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›