Ekzekutivi i ri, gati për të filluar punën

Dekretohet kabineti “Berisha 2”
TIRANE – Kabineti i ri qeveritar “Berisha 2” ka marrë dje firmën aprovuese të Presidentit të Republikës Bamir Topi. Në mbështetje të neneve 93, 96 dhe 98 të Kushtetutës së Shqipërisë, me propozim të Kryeministrit, kreu i shtetit dekretoi emërimin e Këshillit të Ministrave me përbërjen e 15 ministrave, të cilët pritet të kalojnë për votë në kuvend në seancën radhës plenare, ashtu siç e ka përzgjedhur kryeministri.
Pas ceremonisë së fillimit të vitit të ri shkollor, kreu i shtetit iu përgjigj interesit të gazetarëve se ishte dakord me këtë formacion. “Mbas këtij aktiviteti unë do të kthehem në zyrë për të vazhduar atë procedurë që ka nisur dy-tre ditë më parë. Në punën time jam shumë i ftohtë, pa emocione, dikur dhe unë kam qenë në politike dhe jo në pak raste kam folur me emocion. Sot nuk më lejohet”, deklaroi presidenti Bamir Topi.
Duke iu referuar pyetjes së medieve, për praninë e Fatmir Mediut në kabinet, kreu i shtetit ka bërë të qartë se ekskluzivitetin për krijimin e qeverisë e ka kryeministri. “Në gjithë procesin tim të dekretimit unë i referohem detyrimit kushtetues, ndërsa për sa i përket çështjes së këndvështrimit politik dhe moral ky është një ekskluzivitet i emëruesit, që në rastin konkret është kryeministri. Ju e dini që në Shqipëri pushtetet janë të ndara, përkushtimi im kryesor është që të mos devijoj për asnjë çast nga zbatimi i neneve të Kushtetutës”, vijoi Topi.
Menjëherë pas firmës së Presidentit, Parlamenti kanë nisur procedurat për votimin e qeverisë së re. Më 9 shtator, presidenti Topi dekretoi Berishën për të formuar qeverinë e re, të dalë pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, kur Partia Demokratike fitoi edhe një mandat të dytë qeveritar. Në përbërje të qeverisë së re është edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, një parti e majtë, e cila do të drejtojë postin e zëvendëskryeministrit dhe tre ministri.
Në seancën më të afërt, e cila sipas të gjitha parashikimeve do të mblidhet ditën e mërkurë, kryeministri Sali Berisha do të paraqesë dhe programin ku do të bazohet qeverisja katër vjeçare e koalicionit për integrim. Pas votimit në kuvend, kabineti i ri qeveritar do të betohet para Presidentit të Republikës.