E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Raporti objektiv dhe më i miri, Edi Rama të ndalë pretekstet, të kthehet në parlament”

Kryeministri Sali Berisha vlerëson Raportin përfundimtar të OSCE/ODIHR

“Ky raport dëshmon qartë  përfundimisht se ky vend bëri zgjedhje dinjitoze, se qeveria e tij nuk bëri asnjë përpjekje për manipulimin e rezultatit, apo mos numërimin korrekt të votave të qytetarëve shqiptarë. Ky raport mbështet plotësisht procesin e integrimit të Shqipërisë. Raporte të tilla të ngjashme me këtë ka edhe për vende anëtare të Bashkimit Europian. Nuk them se nuk ka më të mira se ky raport, pa diskutim që ka, ka vende që kanë standardet më të larta, por ka edhe vende të zhvilluara demokratike që nuk i kapin standardet më të lartë, edhe kjo është një e vërtetë e pamohueshme”

TIRANE – Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje përmes një konferencë për shtyp, pak minuta pas publikimit të konkluzioneve të OSBE/ODIHR, për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, se raporti është mjaft dinjitoz për një vend të lirë duke shtuar se ai karakterizohet nga një vlerësim objektiv. Kreu i qeverisë, komentoi raportin dhe theksoi se zgjedhjet në tërësi përmbushën kriteret e OSBE/ODIHR dhe njëherazi evidenton se nuk ka pasur prova për manipulim të votave.
“Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve pluraliste në Shqipëri, një raport i OSBE/ODIHR konsideron se zgjedhjet në Shqipëri, ‘përmbushën shumicën e standardeve të OSBE-së’ dhe konsideron se Shqipëria i ka potencialet për t’i përmbushur ato plotësisht në kushtet e vullnetit të të gjithë partive politike. Gjithashtu ky raport thekson rregullshmërinë e procesit të numërimit dhe nxjerrjes së rezultateve duke hedhur poshtë spekulimet mbi legjitimitetin e rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Raporti konstaton gjithashtu faktin se rezultati i të 12 zonave zgjedhore si dhe ai përfundimtar u miratuan nga KQZ me unanimitet. Konkluzioni i Raportit Përfundimtar të ODIHR se zgjedhjet ‘përmbushën shumicën e standardeve të OSBE-së’, i krahasuar me konkluzionet e zgjedhjeve të shkuara, tregon qartë nivelin e lartë demokratik që arritën zgjedhjet e 28 qershorit”, u shpreh kryeministri.
Berisha e cilësoi si tepër objektiv raportin, duke shtuar se në fillim të tij, theksohet se zgjedhjet shënuan progres thelbësor në lidhje me regjistrim e zgjedhësve, procesin e identifikimit të tyre, votimin, numërimin dhe shqyrtimin e kërkesave.
Sipas raportit, zgjedhjet përmbushën shumicën e zotimeve të OSBE, dhe ajo që është më e arrira thekson se nuk ka pasur prova, për numërim të parregullt apo manipulim të rezultateve.
Kreu i ekzekutivit, citoi se në raport evidentohen të gjitha përparimet e bëra me infrastrukturën ultra moderne, listat e zgjedhësve, letër njoftimet e reja, evidenton progresin e madh në përzgjedhjen konsensuale, përgjegjësinë dhe transparencën ligjore të KQZ.
“Dua të ritheksoj se raporti shkruan se nuk pati asnjë provë për manipulim të rezultatit. Ky është raporti më i mirë i lëshuar për zgjedhjet në Shqipëri. Ky raport është i ngjashëm me raportet e vendeve të tjera në rajon dhe Evropë. Raporti evidenton një seri dobësish dhe të metash. Shprehet qartë se këto zgjedhje nuk shfrytëzuan plotësisht potencialet e Shqipërisë, për të kapur standardet më të larta demokratike. Për të arritur në lartësinë maksimale, duhet kohë. Raporti evidenton edhe një seri të metash dhe problemesh të cilat do të adresohen me seriozitet në programin e qeverisë sime. Shqipëria nuk është më delja e zezë e Ballkanit, për zgjedhje jo të mira”, theksoi Berisha.
Raporti i zgjedhjeve të 28 qershorit, krahasuar me raportet e zgjedhjeve të kaluara, si të vitit 2003, 2005 dhe 2007, qëndron shumë më lart dhe procesi në tërësi ka qenë i rregullt.
Kreu i qeverisë shprehu garancinë e tij ndaj institucioneve ndërkombëtare se qeveria do të marrë angazhimin më të madh, për të plotësuar standardet më të mira në vijim.
Gjithashtu, Berisha i bëri thirrje kryetarit të detyrë të Partisë Socialiste, Edi Rama, që të heqë dorë nga skenarët virtualë dhe të lexojë raportin.
“Ftoj kryetarin e PS-së, të heqë dorë nga skenarët virtualë, nga shpikjet dhe trillimet. Le të lexojë këtë raport. Kisha bindjen se ky ka qenë numërimi më i shkëlqyer në këtë vend. Këto zgjedhje, u faktuan shqiptarëve votimin më të qetë, më të mirë në historinë e tyre. Shpresoj që ky raport, ta bindë zotin Rama dhe vendi i deputetëve të partisë së tij është në parlament. Të heqë dorë nga sajesat”, tha kryeministri.
Berisha citoi, duke iu referuar pretendimeve të Ramës, se në zgjedhjet e 2005-ës, mbi 200 të burgosur janë liruar për të shkuar në shpi, me firmën e kreut të listës së Partisë Socialiste.
“Dhe ne kemi ngritur zërin vetëm për një rast në Pogradec”, tha Berisha.
Kreu i qeverisë citoi se “ky është një vlerësim i merituar për qytetarët shqiptarë”. “Shqipëria, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, në të cilat çdo votë kushton, çdo votë numërohet, nuk ka asnjë tendencë për të manipuluar rezultatin e tyre. Në 2007-ën, një gjë u tha qartë, se, ‘qeveria nuk ka ndërhyrë në rezultatin e zgjedhjeve’. Në këtë raport, nuk citohet për herë të parë fjala ‘polici’, apo ‘shërbim i fshehtë’, për prishjen e procesit të zgjedhjeve”, theksoi kryeministri.
Berisha falënderoi shqiptarët, miqtë dhe vëzhguesit ndërkombëtarë, misionin për vlerësimin objektiv të këtyre zgjedhjeve, evidentimin e progresit thelbësor, por edhe të atyre të metave, të shkaktuara, për kohë në arenën politike, është një kundërshtar i destabilizuar si Edi Rama.

Jo më kot ju e cituat dy herë paragrafin e raportit ku thuhet se nuk ka pasur prova për numërim të manipuluar apo për manipulim të rezultatit, çka të cilën le të themi se opozita e ka kthyer në një kauzë , kur ka vendosur kushtin e saj kryesor, ngritjen  enjë komisioni hetimor për zgjedhjet?
Sikur Edi Rama të kishte paraqitur qoftë dhe provën më të vogël për parregullsinë e numërimit, unë, absolutisht, do të qëndroja. Por kam theksuar një gjë. Zoti Rama mori videon e Beratit, të cilën e morëm edhe ne, sepse edhe ne kishim dyshime se na janë ‘plaçkit’ votat. E kuptoni thashethemnajën, pasi ka edhe maninë të thotë që të qarkullojë që u bë kjo. Dhe çfarë dilte aty? Me kthjelltësi të kristaltë dilte se çdo votë ishte numëruar me korrektesë. Edhe akuzat që Erjoni i bën Erjonit ishin tërësisht të pabaza. Kjo ishte për ne, kjo ishte edhe për Edi Ramën. Atëherë zoti Rama e ndërtoi të gjithë aktakuzën në padukshmërinë e shkeljeve nga komisionerët, nga KQZ-ja, nga ju, mediat. Vërtetë kjo ekziston apo është një halucinacion i zotërisë së tij, sepse po t’u referohesh fjalëve në kongres, ai tha se nuk kishte siç ka qenë me taborët e SHIK-ut, të policisë e të tjera, por kësaj herë ishte një gjë e pakuptueshme as për komisionarët, as për mediat, por për kë ishte atëherë. Pra, kësaj here ishte një shpikje e mendjes së tij. Kjo është hera e vetme që procesverbalet janë firmosur të gjitha, 14 qendrave. Jo më kot lexova raportin e vitit 2001. Raporti paraprak i 2001-it ka qenë pozitiv për zgjedhjet, por “menjëherë pas përfundimit të procesit, opozita paraqiti prova të qenësishme rreth këtyre shkeljeve të OSBE/ODHIR-t.”Atëherë ju mendoni se ata do të pranonin provat e Sali Berishës dhe nuk do të pranonin ato të Edi Ramës. Jo, kurrën e kurrës. Ata pranojnë çdo provë, absolutisht çdo provë dhe është e vërtetë që raporti u ndryshua: Megjithëse vlerësimi fillestar ishte pozitiv, pas raundit të parë të zgjedhjeve, procesi zgjedhor i tejzgjatur, si dhe shkeljet e përsëritura dhe gjithnjë e më serioze në raundet e tjera të zgjedhjeve, veçanërisht në zonën 60, bindën OSBE/ODIHIR-in për nevojën e modifikimit të vlerësimit për këto zgjedhje në tërësi. E modifikoi dhe ne dhamë provat tona për të gjitha ato. Edi Rama nuk ka prova dhe ky është një dëm shumë i madh që i bëhet Partisë Socialiste. Partia Socialiste ka një mijë herë të drejtë të kundërshtojë me prova, por në qoftë se kundërshton pa prova, i rikthehet traditës së saj më të zezë, alergjisë ndaj votës së lirë dhe të rikujton kohërat më të errëta, kur nuk pranonte votim tjetër, vetëm atë që manipulonte vet. Përse zoti Rama nuk jua shfaq juve videot e Beratit si dëshmi se i ka ngelur një mandat aty, kjo vetëm se nuk i ka ngelur asgjë.

Duke e vlerësuar jo më kot dhe pa të drejtë si raportin më të mirë për të gjitha  zgjedhjet , a ndiheni të penduar kur keni paragjykuar zonjën Glover në krye të ODHIR-it dhe kur nuk keni pasur ende një takim paraprak me të...?
Për sa i përket ambasadores Glover, nuk kam pasur asnjë problem personal, ka qenë një çështje parimore. Por, duke vlerësuar raportin këtu, sigurisht që po vlerësoj çdo anëtar të këtij ekipi, kryetaren dhe zëvendëskryetarin që ishin: zonja Glover dhe zoti Grossruck, zëvendëspresident dhe të gjithë ata që morën pjesë. Unë jam i sigurt që raporti është produkt i  punës, mundit dhe vlerësimit të tyre të ndershëm dhe objektiv.

Si e komentoni konstatimin e raportit faktin që është ushtruar presion ndaj administratës, kryesisht nga ekzekutivi, presion për ta nxjerrë në mitingje elektorale?
Së pari, ju i referoheni disa akuzave paraelektorale. Pyesni nëse 4 200 punonjësit e bashkisë janë të detyruar të mbushin Pallatin e Kongreseve aq herë sa do Edi Rama. Unë nuk përjashtoj këtë. E them hapur se në raste të caktuara sporadike edhe aktivistë apo drejtues të PD-së t’u kenë bërë thirrje punonjësve, por në mënyre absolute kjo nuk ka qene politikë. Të vetmen gjë që unë e kam mbrojtur edhe me të huajt është çështja e mësuesve. Ka pasur një debat lidhur më këtë, nëse mësuesit janë të depolitizuar apo jo. Unë kam bërë të qartë dhe ka pasur me dhjetëra e qindra mësues si komisionerë të të dyja forcave politike dhe për mendim tim, kanë bërë shumë mirë, përderisa nuk janë punonjës të shërbimit civil, përderisa nuk bëjnë propagandë në shkollë. Ata kanë pasur dhe do të kenë të drejtën të kenë përkatësitë dhe anësimet e tyre politike. Ky është qëndrimi im për mësuesit, por ky qëndrim është i kundërt për sa i përket policisë. Edhe vetë Edi Rama e ka falënderuar  policinë të nesërmen e zgjedhjeve, ka falënderuar Shërbimin Informativ Kombëtar. Ai nuk ka paraqitur as edhe një rast të implikimeve në fushatë nga tatimet dhe doganat, ndonëse ka raste që ata kanë qenë komisionerë të PS-së dhe nuk kanë bërë mirë, sepse tatimet dhe doganat kanë pasur porosi të prerë që nuk do të përfshihen në fushatë. Unë nuk them se nuk ka defekte dhe të meta, por, absolutisht, raporti në tërësinë e tij është plotësisht objektiv. Mund të ketë ndonjë moment që nuk është sqaruar, por në tërësi është objektiv dhe i vërtetë, për vërejtjet që bëhen, për inaugurimet që theksohen dhe një seri gjërash të tjera në të. Por një gjë ju siguroj, këto do të merren me seriozitetin më të madh dhe do të trajtohen për zgjedhjet e ardhshme të vitit 2011 dhe 2013.

Fakti që Fatmir Mediut i është pushuar çështja dhe është përmendur që në katër vjeçarin e ardhshëm nuk do të ketë imunitet për mazhorancën tuaj, a keni një koment për këtë?
Lidhur me Mediun, unë edhe sot me anë të një deklarate , por edhe para dy ditësh dhe në mënyrë të përsëritur kam bërë të qartë dhe bëj të qartë se nuk ekziston imunitet për anëtarët e kësaj mazhorance. Ne e kemi faktuar këtë. Ne i jemi përgjigjur Prokurorisë së Përgjithshme për çdo kërkese edhe atëherë kur gjithçka ka qenë e bazuar mbi trillimin. Edhe atëherë ne i jemi përgjigjur, sepse, duke marrë një rast, pretendohej se dëmi në rrugë është 360 milionë, në një kohë kur nuk ishin shpenzuar as rreth 100 milionë. Pra, standardi im dhe i kësaj mazhorance është: ne para ligjit jemi qytetarë të thjeshtë. Edhe Mediu ka bërë të njëjtën deklaratë sot.

Zgjedhjet kanë qenë një kusht i rëndësishëm për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe për shqyrtimin e kërkesës. Mendoni se ky raport ka progres të mjaftueshëm për t’i bindur vendet anëtare për ta shqyrtuar atë?
Ky raport dëshmon qartë  përfundimisht se ky vend bëri zgjedhje dinjitoze, se qeveria e tij nuk bëri asnjë përpjekje për manipulimin e rezultatit, apo mos numërimin korrekt të votave të qytetarëve shqiptarë. Ky raport mbështet plotësisht procesin e integrimit të Shqipërisë. Raporte të tilla të ngjashme me këtë ka edhe për vende anëtare të Bashkimit Evropian. Nuk them se nuk ka më të mira se ky raport, padiskutim që ka, ka vende që kanë standardet më të larta, por ka edhe vende të zhvilluara demokratike që nuk i kapin standardet më të lartë, edhe kjo është një e vërtetë e pamohueshme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›