E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekutivi "shkel" ligjin në prokurori

Ministria e Drejtësisë inspektoi në Prokurorinë e Tiranës çështjet penale që nga themeli

Ekzekutivi ndërhyn dukshëm në sistemin e prokurorisë, duke rekomanduar penalizime për disa prokurorë. Ministria e Drejtësisë ka inspektuar në Prokurorinë e Tiranës dosje për të cilat nuk ka pasur kompetencë ligjore. Si pasojë, grupi i ministrisë ka verifikuar dhe ka nxjerrë konkluzione edhe për çështje që nuk kanë qenë objekt i kontrollit. Raporti i përgatitur nga ministria i është servirur kryeprokurores Ina Rama disa muaj më parë. Pas dërgimit të raportit, një grup inspektorësh nga akuza qendrore verifikuan pretendimet e qeverisë në Prokurorinë e Tiranës, duke hartuar një raport konkret. Dy raportet janë verifikuar nga stafi i ngushtë i kryeprokurores dhe shkeljet e konstatuara u dërguan në Këshillin e Prokurorisë së Përgjithshme. Këshilli ka miratuar raportin e përgatitur nga akuza qendrore, duke “rrëzuar” pretendimet e ministrisë, për të cilin doli në përfundim se ka qenë jashtë kompetencave që i njeh ligji për inspektimin e dosjeve penale. Sipas të dhënave nga Këshilli i Prokurorisë, ministria kishte gjetur rreth 280 dosje me shkelje në akuzën e kryeqytetit, ndërsa raporti i prokurorisë i kishte përgjysmuar këto dosje, pra rreth 180 çështje. Sipas të dhënave, raporti është përgatitur pas një kontrolli të 5000 çështjeve, ndërsa përqindja e gabimeve është shumë e ulët duke e krahasuar me gabimet e gjyqtarëve.

Kontrolli

Akuza qendrore e cilëson si “ndërhyrje” të politikës kontrollin e dosjeve penale nga Ministria e Drejtësisë, për të cilat nuk i lejon ligji “për prokurorinë”. Ky ligj përcakton se objekti i kontrollit të Ministrisë së Drejtësisë në organin e prokurorisë është ndjekja e ecurisë së çështjeve për luftën kundër kriminalitetit, afatet e hetimit, afatet e paraburgimit, respektimi i të drejtave të njeriut e vijueshmëria e kryerjes të veprimeve hetimore. Gjithashtu, objekt kontrolli është edhe respektimi i detyrimit ligjor të prokurorit për fillimin e ndjekjes penale, ecuria e politikës penale, rregullshmëria e mbajtjes dhe administrimit të statistikave si dhe respektimi i parimeve të drejtësisë, barazisë dhe ligjshmërisë së veprimtarisë së prokurorit në marrëdhëniet e tij me subjektet e tjera të procedimit penal. Megjithatë, dispozitat e nenit 56 të ligjit “për prokurorinë” nuk janë zbatuar nga inspektorët e ministrisë, të cilët u kanë kërkuar llogari prokurorëve përse nuk kanë marrë në pyetje dëshmitarë konkretë. Sipas akuzës, raporti ka shkelje të rënda që lidhen me kompetencat, të cilat i janë dërguar Këshillit të Prokurorisë. Ky i fundit ka votuar për rrëzimin e raportit të qeverisë, pasi është cilësuar si i “paligjshëm”. Stafi i kryeprokurores Ina Rama deklaron se kjo është një ndërhyrje e ekzekutivit në çështje konkrete. Vlen për t’u përmendur se inspektimi në akuzën e kryeqytetit ka filluar disa orë pasi në regjistrin e veprave penale është regjistruar emri i Damir Fazllic si person nën hetim. Kontrolli është kryer gjatë kohës që në postin e Ministrisë së Drejtësisë ishte Enkelejd Alibeaj.

Raporti

Ministria e Drejtësisë i ka dorëzuar kryeprokurores Ina Rama një raport voluminoz kontrolli të zhvilluar në Prokurorinë e Tiranës. Aktkontrolli i dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme pretendon se 34 prokurorë të Prokurorisë së Tiranës janë gjetur me shkelje të ndryshme në punën e tyre. Kështu, 12 nga prokurorët kanë kryer shkelje që duhet të ndëshkohen me shkarkim nga detyra, 10 prokurorë duhet të ndëshkohen me masën e transferimit, ndërsa 12 të tjerë me masën e paralajmërimit. Objekt i kontrollit kanë qenë dosjet penale të regjistruara nga gjysma e dytë e vitit 2007, deri në fund të vitit 2008. Pas përfundimit të kontrollit të inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë, kjo e fundit e ka dërguar raportin në Prokurorinë e Përgjithshme, duke propozuar masat konkrete për shkelësit, sipas ligjit “Për prokurorinë” të ndryshuar në vitin 2008. Ministria e Drejtësisë shprehet në raportin e saj, se abuzimet kryesore të prokurorëve të Tiranës kanë të bëjnë me kualifikimin e veprave penale. Sipas ministrisë, ka raste kur vrasje të mbetura në tentativë janë klasifikuar dhe hetuar me akuzën e plagosjes, duke lehtësuar kështu autorët e ngjarjeve. Kontrollorët e Ministrisë së Drejtësisë pretendojnë më tej se prokurorët e kryeqytetit kanë shkelur afatet e hetimit të dosjeve, duke i zvarritur ato, si dhe kanë gabuar në disa raste në aplikimin e masave të sigurimit. Ministria e Drejtësisë konsideron se ka pasur vendime të gabuara dhe jo në zbatim të drejtë të ligjit në disa raste, kur prokurorët kanë vendosur mosfillimin e çështjeve penale për të cilat ka pasur prova të qarta.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›