E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkurtimet në buxhet, opozita debaton me ministrin e Financave në komision



Ervin KOÇI

Buxheti i rishikuar i gjysmës së dytë të vitit 2010, ka rindezur sërish dje debatet në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave. Shkurtimet e mëdha të shpenzimeve dhe investimeve publike, të programuara nga qeveria kanë rindezur reagimin e opozitës e cila e pranishme në këtë seancë ka debatuar ashpër me ministrin e Financave, Ridvan Bode. Deputetët e majtë në këtë komision, kanë deklaruar se shkurtimi i buxhetit nuk është një sukses për ekonominë shqiptare, sikundër pretendon qeveria, por një dështim i qartë. Ndërsa ministri Bode, i cili ka prezantuar buxhetin e ri, i ka mbrojtur ndryshimet me argumentin se këto masa, po merren pikërisht për te garantuar një ambient ekonomik më të sigurt për vendin. Ai pohoi se, “vetëm për investimet publike janë parashikuar që të bëhen 20 miliardë lekë shkurtime”. Vetëm pak ditë më parë, këto shpenzime janë miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ku sipas argumentimit të bërë nga kryeministri Berisha gjatë saj, “këto shkurtime diktohen nga vendimi ynë i prerë, për të ulur deficitin buxhetor dhe për të mos lejuar rritjen e borxhit”. Sipas kryeministrit Berisha, “shkurtimet janë absolutisht të domosdoshme, në mënyrë që të përballemi me sukses me këtë mjegullnajë financiare dhe ekonomike që ka pushtuar një pjesë të gjerë të kontinentit”. Ky fakt, është mbrojtur edhe nga ministri i Financave, Bode, gjatë raportimit të tij në mbledhjen e djeshme të Komisionit parlamentar për Ekonominë dhe Financat.

Argumentet
Ministri i Financave gjatë paraqitjes dje të draftit për rishikimin e buxhetit, tha se ai nuk po vjen për shkak të gjendjes së vështirë financiare të qeverisë. “Ne po vijmë me vullnetin e mire për t’i lënë hapësirë biznesit. Ne nuk jemi të detyruar t’i bëjmë këto shkurtime. I detyruar je kur nuk shërben dot, kur nuk gjen dot para për të financuar dhe ne nuk jemi në këtë fazë",- u shpreh Bode. Por deputetët e opozitës e konsiderojnë këtë veprim të qeverisë si të vonuar dhe një tregues të qartë të gjendjes së rënë që po kalon ekonomia. “Dakord, duhen shkurtime. E para jeni të vonuar dhe e dyta, përsëri nuk po e shihni me realizëm. Një politikë fiskale që ul investimet tre here me shume nga shpenzimet e tjera, nuk është e shëndoshë”,- deklaroi deputeti i PS-së, Arben Malaj. Ai tha më tej se, financat e qeverisë mund të përkeqësohen edhe më shumë në të ardhmen. Por më shumë se sa financat e qeverisë, ministri i Financave ka një tjetër shqetësim, kur bëhet fjalë për gjetjen e burimeve për financimin e rritjes. Qeveria kërkon shkurtimin e buxhetit me 39 miliard lekë, nga të cilat 20 miliardë janë investime publike.

Opozita
Partia Socialiste kërkon dorëheqjen e ministrit të Financave, si rezultat i mosmenaxhimit të krizës ekonomike në vend dhe rritjes së borxhit. Për PS-në, në mungesë të ndonjë privatizimi me peshë, gjithë presioni i financimit të deficitit buxhetor (4-6% GDP) për këtë vit i kalon tërësisht tregut të brendshëm, duke asfiksuar sektorin privat nga likuiditeti. Përfaqësuesja e PS-së në këtë komision, Mimi Kodheli, ka deklaruar se opozita do të kërkojë një seancë dëgjimore me të gjithë drejtuesit e organeve fiskale në vend. Mes këtyre institucioneve përfshihen: Tatimet, Doganat, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe INSTAT-i. Nëpërmjet këtyre seancave, opozita deklaron se do të përpiqet të përftojë një panoramë më të qartë ekonomike për vendin. Megjithatë opozita është shprehur se ky projektligj nuk ka pasur transparencën e duhur. Sipas nënkryetares së Komisionit të Ekonomisë, Kodheli, pritet që kjo të ketë mjaft ndikim në ekonominë tonë. Ndërkohë një tjetër zë shumë i njohur i politikës së PS-së, ish-ministri i Financave dhe deputeti Arben Malaj, e ka analizuar më thellë problemin e buxhetit të ri të qeverisë. Ai është ndalur gjerësisht në rekomandimet e Fondit Monetar për qeverinë shqiptare dhe për deficitin buxhetor të krijuar.

Debati për FMN
Debatet mes forcave politike në komisionin e ekonomisë janë vërtitur më së shumti rreth rekomandimeve të FMN-së dhe siç ndodh shpesh qëndrimet politike edhe për të njëjtën gjë janë të kundërta. Sipas deputetit të PS-së dhe ish-ministër i Financave, Arben Malaj, qeveria nuk i ka marrë parasysh rekomandimet e fundit të FMN-së, por i ka anashkaluar ato. "Nuk është e vërtetë që ju e respektoni, nuk është e vërtetë që Fondi ju paska kërkuar që mund ta mbani 3.5, madje po mundët, mbajeni dhe pak më lart. Ajo që ne kemi parë dhe nga materialet, ju keni vetëm ueb-sitin e zyrës së Fondit Monetar në Shqipëri u është kërkuar që rritja e shpenzimeve duhet të jetë më e vogël se rritja e GDP-së, si e vetmja mënyrë për ta ulur deficitin, dhe për ta ulur borxhin. Dhe ju është rekomanduar që borxhi mundësisht (është e shkruar), të shkojë deri në 50 për qind, por ju thoni se do ta mbani 54 për qind",- tha deputeti Arben Malaj. Më tej ai ka shtuar: "Zoti ministër, nga eksperienca e të gjithë vendeve që sot janë në krizë të thellë, keni ndonjë konkluzion konkret, që kur nuk janë respektuar në kohë rekomandimet e FMN-së dhe institucione të tjera financiare, qeveritë që nuk i kanë zbatuar ato nëse kanë ndjekur politika populiste, kanë rezultuar të suksesshme apo të dështuara(?)". Nga ana e tij ministri Bode është përgjigjur se: "A negociohet me FMN-në, a dëgjohet FMN-ë, se nga njëherë vonesat në respektimin e sugjerimeve janë me pasojë për vendin. Po! FMN ka kërkuar që deficiti i këtij viti të shkonte 3.5 për qind, ne vijmë me një propozim për një deficit prej 3.1 për qind". Ndërkohë duke qenë se peshën më të madhe e zënë investimet publike, Bode është shprehur se nuk do të ketë asnjë ndalim të investimeve në proces. Pas seancës së djeshme Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe i Financave pritet që ta kalojë për miratim projektligjin ditën e sotme.

Bode: “Borxhin publik do ta ulim me 3.1 për qind”

Ministri i Financave Ridvan Bode deklaroi dje se niveli i borxhit është 59.5% i GDP-së.
"Deficit vjetor zbret në nivel 3.1 për qind të PBB që përbën nivelin më të ulët, jo vetëm të programuar por dhe të realizuar historik për vendin tonë, nga 4 për qind që ishte programuar këtë vit. Po ashtu, kostoja e borxhit publik vijon të pësojë një rënie të moderuar, e kushtëzuar dhe nga zhvillimet pozitive në tregun financiar shqiptar",- u shpreh ministri i Financave. Gjatë prezantimit të projektligjit “Për rishikimin e buxhetit të shtetit për vitin 2010” në Komisionin e Ekonomisë, shefi i Financave tha se, ky nivel do të ruhet gjatë 2010, dhe se “nuk përbën problem", ndërsa parashikonte se deri më "2013 ky borxh të zbresë në 54 %". “Ruajtja e borxhit publik dhe ulja e tij nga 59 në 54 për qind është arsyeja e kërkimit të shkurtimit të buxhetit 2010”,- deklaroi ministri Bode. Rishikimi i buxhetit parashikon që rritja ekonomike të jetë 4.1 %, nga 5.5 % që ishte programuar në buxhetin e fillim-vitit 2010. Sipas ministrit Bode, parashikohet ulje prej 20 miliardë lekë e investimeve publike. Të ardhurat në buxhetin e shtetit parashikohen të ulen në 27.3 miliardë lekë. Gjithashtu parashikohet ulje të shpenzimeve deri në 39 miliardë lekë. Shkurtimet buxhetore synojnë stabilizimit e parametrave makroekonomikë të vendit. Sipas qeverisë, kjo ulje është e kushtëzuar nga rënia e ritmeve të rritjes së ekonomisë.

13 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›