Ekzekutohet babai i vellezerve qe vrane 10-vjecari ne Mamurras

Një 70-vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri në orët e mëngjesit në Tiranë, ndërsa ngjarja dyshohet të jetë kryer për hakmarrje për një vrasje tjetër të ndodhur në Shpërdhet të Mamurrasit në 5 qershor.
Viktima, Mark Shkreta ka gjetur vdekjen e menjëhershme ndërsa është qëlluar në rrugën “Hoxha Tahsim”, teksa ishte duke ecur i vetëm në këmbë.
Policia u vu në kërkim të një 30-vjeçari sipas përshkrimit të autorit nga dëshmitarë okularë të ngjarjes. 70-vjeçari, është babai i Altin Shkretës, i arrestuar nga RENEA, disa javë më parë si autori kryesor i vrasjes së 10-vjeçarit Endri Llani. Vogëlushi, ishte në automjetin e xhaxhait të tij Muharremit, bashkë me të ëmën.
Në ngjarje mbeti i plagosur Muharremi. Policia arrestoi fillimisht Vladimir Shkretën, dhe më pas vëllanë e këtij Altinin, që dy djemtë e Mark Shkretës.
Ngjarja në atë kohë u deklarua se kishte për motiv grindjet për shkak të konkurencës.
Policia e Tiranës shoqëroi disa persona, në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen dhe dëshmitarë për të arritur një identikit të autorit të dyshuar.
Kontrollet policore kanë nisur dhe në Mamurras, tek familjarët e e vogëlushit Llani, të cilët janë përfshirë në pistat e policisë si të dyshuar për vrasjen në Tiranë.
Me anë të një deklarate 3 orë pas ngjarjes policia sqaroi se i dyshuari kryesor për ekzekutimin e 70-vjeçarit Shkreta, është Jetmir Llani, babai i vogëlushit të vrarë dy muaj më parë.
Sipas policisë Jetmir Llani i përshtatet profilit të ndërtuar nga dëshmitarët e ngjarjes, dhe nuk është gjetur në banesë gjatë kontrolleve në Mamurras.