Ekzekutohet lideri i serbëve në Ferizaj, së bashku me bashkëshorten
Kosovë- Lideri i serbëve në zonën e Ferizajt Millorad Jeftiç së bashku me bashkëshorten e tij Liljanën, janë ekzekutura mbrëmjen e së premtes në banesën e tyre.
Sipas Gazetës Express, ai është gjetur i vdekur në dhomën e ndenjes, ndërsa Liljana në banjo. Dyshohet se shkak i këtij ekzekutimi ka qenë një konflikt pronësie, dhe vrasja nuk ka ndodhur për motive etnike, por janë duke vijuar hetimet.
Ata u vranë me nga një plumb nga persona deri më tani të panjohur për policinë. Milloradi u vra me plumb pas qafe, e Liljana me një plumb në gjoks. Vetë fqinjët janë shprehur se nuk kanë dëgjuar të shtëna dhe sipas policisë ekzekutimi mund të jetë bërë me pistoletë të pajisur me silensiator.
Një hetues në kushte anonimitetit tregoi për Express se dyshojnë se vrasësi ka pasur qëllim ta vrasë vetëm Milloradin, por supozohet se atë e ka parë edhe gruaja e viktimës.