E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agim Popa: Kongresi IV i PPSH, sovjetikët, ultimatum Enver Hoxhës

Për herë të parë në rrëfimin e Agim Popës, ngjarjet e panjohura të ndodhura në udhëheqjen e lartë të shtetit komunist, pas mbledhjes së 81 partive komuniste në Moskë.
* Çfarë ndodhi në shkurtin e vitit 1961 kur në Tiranë vërshuan grupet dhe partitë e majta të botës për të asistuar në fjalimin që Enver Hoxha do të mbante në tribunën e kongresit të katërt të partisë së tij, kur pak kohë më parë kishte shkaktuar çarjen më të madhe politike të shtetit të vet.
* Situata e përjetuar me delegacionin e dërguar nga Hrushovi, të cilin u ngarkua ta shoqëronte dhe përkthente vetë Agim Popa.
* Përse delegacionin sovjetik të ardhur në kongres, që kryesohej nga Pospjellovi në Tiranë, vendosi ta drejtonte Andropovi, i cili kishte qenë Ambasadori Sovjetik në Hungari, pikërisht në vitin 1956 kur aty kishin vërshuar tanket sovjetike.
* Ditët e tensionit të krijuara para Kongresit të Katërt në kabinetin e Enver Hoxhës pas dy veprimeve të papritura të udhëheqjes sovjetike për të terrorizuar politikanët e Tiranës
* Urdhrat që i ishin dhënë ambasadorit sovjetik një muaj para kongresit dhe reagimi i Enverit kur në tribunën e Pallatit të Kulturës, Partitë dhe Grupimet Politike të botës, ishin ndarë në dy krahët e tribunës sipas qëndrimit në Mbledhjen e Moskës. Këto dhe të tjera, në vijim të intervistës së mëposhtme të vetë Agim Popës, i cili ka përkthyer dhe ka shoqëruar vetë delegacionin sovjetik në Tiranë, ndërkohë që ka qenë dhe delegat i Kongresit të Katërt të PPSH-së, i cili koncentroi zyrtarisht divorcin përfundimtar të Enver Hoxhës me Hrushovin.

Zoti Popa. Ndërsa nisëm këtë intervistë të gjatë para disa ditësh, ndër të tjera përmendëm faktin se gjithçka që ndodhi në Moskë, pikërisht në mbledhjen 81 partive komuniste punëtore, u zyrtarizua përfundimisht në kongresin e katërt të Partisë së Punës së Shqipërisë. Siç dihet ai kongres është mbajtur vetëm tre muaj pas asaj që ndodhi në Moskë dhe se akoma nuk ishte zyrtarizuar çarja e madhe, kështu që kanë marrë pjesë në kongres përfaqësues të partive komuniste të të dyja rrymave të formuara në takimin e Moskës në nëntorin e vitit 1960. Juve mesa kam informacion dhe që ju e keni shprehur edhe vetë, keni qenë ndërkohë edhe përkthyes i delegacionit sovjetik, që mesa kuptoj ka bërë vizitën e fundit zyrtare në Tiranë. Mund të na e përshkruani atë situatë, në të cilën keni pranuar se paska pasur shumë surpriza politike që lidheshin me ankthin dhe me të ardhmen e vendit?
Është e vërtetë që, si para dhe gjatë kongresit IV, unë kam shoqëruar delegacionin e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, me të cilët marrëdhëniet i kishim në perëndim e sipër. Ai delegacion kryesohej juridikisht nga Pjetër Pospjellov, kandidat i Presidiumit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, sepse konkretisht ai delegacion drejtohej nga Andropovi, i cili aktualisht nuk ishte as anëtar i Komitetit Qendror, por vetëm drejtor i Drejtorisë së Jashtme në Komitetin Qendror që mbulonte marrëdhëniet me shtetet socialiste.
Mund të saktësoj, jo pa qëllim këtu, se Andropovi që drejtonte konkretisht delegacionin e partisë sovjetike kishte qenë ambasador në Hungari pikërisht në vitin 1956 në kohën e pushtimit të Hungarisë nga trupat sovjetike. Gjithashtu ai person arriti që, para Gorbaçovit, pikërisht në momentet që u largua Brezhnjevi, të bëhej për një farë kohe dhe Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të vendit të tij.
Kuptova për sa folët për rezymenë e delegacionit sovjetik të ardhur në Kongresin e Katërt të Partisë së Punës së Shqipërisë, që u mbajt në shkurtin e vitit 1961. Ajo klimë, e cila po prezantohej në përbërjen dhe funksionimin e këtij delegacioni dhe shumë aleatëve të tyre, e kishte zanafillën, thatë ju, pikërisht në atë që kishte ndodhur në mbledhjen e 81 partive komuniste të Moskës, pikërisht tre muaj më parë nga situata kur po flasim. Le të hedhim paksa vështrimin për kujtesë të lexuesit edhe te ajo që kishte ndodhur me delegacionin shqiptar në Moskë.
Kështu doja të dija si fakt se kush tjetër veç Hrushovit nga kryetarët e delegacioneve, që ndërkohë ishin kryetarë të partive komuniste të vendeve të tyre, folën më ashpër kundër Enver Hoxhës?
Siç jua tregova në intervistat e kaluara, ndër ata që folën veçanërisht ashpër kundër Partisë së Punës së Shqipërisë, pas fjalës së Enver Hoxhës të datës 16 nëntor, ishin kryetarja e delegacionit të Partisë Komuniste të Spanjës, Dolores Ibarruri, me pseudonimin "Pasionarja" dhe Vladaslov Gomulka i Partisë Komuniste të Polonisë, i cili e cilësoi fjalimin e Enver Hoxhës, një fjalim rrugaçësh.
Pikërisht pas kësaj situate të krijuar që ne e thamë me pak rreshta, Enver Hoxha mblodhi kongresin IV të partisë për të zyrtarizuar vijën anti Hrushov?
Është e vërtetë se Kongresi i 4-t i PPSH-së ishte kongres tepër i veçantë nga sa ishin zhvilluar deri në atë kohë.
Ai u zhvillua nga data 13 deri më 20 shkurt 1961.
Në opinionin e brendshëm dhe të jashtëm ai kongres mori një vëmendje të madhe, se ishte i pari kongres i një partie komuniste apo punëtore që mbahej menjëherë pas mbledhjes së 81 partive që siç ju fola më lart ishte mbajtur vetëm tre muaj më parë, pra në nëntorin e 1960-ës në Moskë.
Si i tillë, Kongresi IV i Partisë së Punës së Shqipërisë, u bë tribuna e ballafaqimit publik të dy vijave të kundërta të kristalizuara në mbledhjen e 81 partive. Kjo solli atë që në atë kongres të merrnin pjesë përkatësisht delegacionet që përfaqësonin pikërisht të dyja ato rryma.
Ishin ulur krah njëri-tjetrit, pavarësisht se përfaqësonin dy rryma të papajtueshme?
Këtu ishte e çuditshmja, se ata pjesëmarrës ishin të gjithë përfaqësues të partive komuniste, por që kishin vija dhe qëndrime krejt të kundërta, madje të papajtueshme. Këto ishin dy rryma, apo dy grupime. Kështu ishte edhe vendosja e tyre në sallën e kongresit.
Konkretisht nga njëra anë e tribunës ishin vendosur partitë e njërës rrymë, që ishin Partia e Punës e Shqipërisë, Partia Komuniste e Kinës, Partia Komuniste e Vietnamit, Partitë Komuniste të Birmanisë, Malajzisë etj.
Nga krahu tjetër i tribunës së kongresit kishin zënë vend Partitë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Francës, Italisë, Çekosllovakisë, Greqisë etj.
Ju keni qenë pjesëmarrës në atë Kongres?
Konkretisht, në atë kongres unë kam qenë në grupet e punës që kanë punuar për raportin, ndërkohë, isha edhe delegat i tij.
Gjithashtu unë para dhe gjatë tij kam shoqëruar delegacionin e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, me të cilët marrëdhëniet i kishim në perëndim e sipër.
Nga kush përfaqësohej dhe kryesohej delegacioni i Bashkimit Sovjetik?
Ai delegacion kryesohej juridikisht nga Pjetër Pospjellov, kandidat i Presidiumit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, sepse konkretisht ai delegacion drejtohej nga Andropovi, i cili aktualisht nuk ishte as anëtar i Komitetit Qendror, por vetëm drejtor i drejtorisë së Jashtme në Komitetin Qendror që mbulonte marrëdhëniet me shtetet socialiste.
Kishte ndonjë beckgraund të veçantë Andropovi, apo thjesht ishte një njeri i besuar i partisë së vet?
Mund të saktësoj, jo pa qëllim këtu, se Andropovi që drejtonte konkretisht delegacionin e partisë sovjetike kishte qenë ambasador në Hungari pikërisht në vitin 1956 ,në kohën e pushtimit të Hungarisë nga trupat sovjetike. Gjithashtu ai person arriti që, para Gorbaçovit, pikërisht në momentet që u largua Brezhnjevi të bëhej për një farë kohe dhe Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të vendit të tij.
Keni pasur detyrë të ishit përkthyes i delegacioneve në kongres?
Në kongres unë kam lexuar, veç fjalës së delegacionit sovjetik, edhe atë të atij francez, italian, vietnamez etj.
Mesa kam mësuar, një histori e tërë me probleme serioze paska ndodhur në periudhën para fillimit të kongresit. Si është e vërteta?
Para se Tirana zyrtare të mblidhte Kongresin IV të Partisë së vet të Punës pati dy veprime të udhëheqjes sovjetike në kuadrin e presioneve të saj ndaj udhëheqjes së PPSH-së, të cilat u ndërmorën me qëllimin e vetëm për ta detyruar atë të nënshtrohej.
Kush ishin?
E para, ishte njoftimi që i ishte bërë ambasadorit të saj në Tiranë qysh në janar të vitit 1961, për refuzimin e zbatimit të marrëveshjeve eko-nomike të nënshkruara në nivelin më të lartë, duke e kushtëzuar zbatimin e tyre në një takim të ri të nivelit më të lartë të dy udhëheqjeve dhe në zgjidhjen më parë të problemeve ideolo-gjike e politike midis tyre.
Ku ishte më saktë fjala?
Fjala këtu ishte për kreditë e ndihmat sovjetike për planin e tretë 5-vjeçar të ndërtimit socialist të Shqipërisë, orientimet e të cilit u miratuan në Kongresin IV të PPSH-së.
Çfarë përfshiheshin saktësisht në ato ndihma?
Në atë plan përfshiheshin dhe ndihmat ushtarake që kishin të bënin sidomos me bazën e nëndetëseve në Pashaliman të Vlorës, kjo ishte sipas planit të palës shqiptare, ndërsa pala sovjetike ngulte këmbë që të gjitha nëndetëset t'u kalonin ekuipazheve sovjetike, ndërsa ekuipazhet shqiptare të hiqeshin fare dhe baza të komandohej tërësisht nga sovjetikët. Mirëpo kjo kërkesë e palës sovjetike për një takim të nivelit të lartë u refuzua menjëherë nga udhëheqja e Partisë së Punës së Shqipërisë, duke e konsideruar atë si metodë të presionit ekonomik e politik, etj.
Dhe veprimi i dytë?
E dyta ishte se, udhëheqja sovjetike po jepte një urdhër për tërheqjen e tërë specialistëve sovjetikë nga Shqipëria, sidomos të atyre të nxjerrjes dhe përpunimit të naftës. Pikërisht për këtë gjë jo më shumë se pesë muaj para se të vinte ky urdhër, nga ana e udhëheqjes së Partisë së Punës së Shqipërisë ishte bërë një kërkesë me shkrim që ata të vazhdonin të qëndronin më shumë. Mirëpo përgjigjja zyrtare nga udhëheqja sovjetike nuk u kthye asnjëherë, dhe ja, më së fundmi, aty nga mezi i shkurtit, pikërisht pak ditë para fillimit të Kongresit IV të Partisë së Punës së Shqipërisë, jo më kot ata po u jepnin urdhrin ekstrem atyre specialistëve për t'u larguar.
Ju kuptova për ato që kishin ndodhur para kongresit. Le të shkojmë paksa te punimet e kongresit tashmë. Si u zhvilluan ato, pra çfarë të veçante pati veç atyre nga sa thamë pak më lart?
Së pari, në raportin e mbajtur nga Enver Hoxha në Kongres u përsëritën në thelb, por pa sulmuar me emër udhëheqjen sovjetike, ato qëndrime që mbajti Partia e Punës së Shqipërisë në mbledhjen e 81 partive në vitin 1960 në Moskë.
Doja të dija më konkretisht nga sa u theksua në fushën e lëvizjes ndërkombëtare dhe komuniste?
Unë, për të mos e rënduar bisedën, po përmend vetëm dy momente që mendoj se janë më me interes për lexuesin.
Ato ishin?
E para ishte në lidhje me referimin e deklaratave të mbledhjes së 81 partive komuniste e punëtore të viteve 1957 dhe 1960. Për përmbajtjen themelore të epokës sonë, - si epokë e kalimit nga kapitalizmi në socializëm e luftës midis dy sistemeve shoqërore të kundërta, epokë e revolucioneve socialiste dhe e luftërave Nacional-Çlirimtare e shembjes së imperializmit dhe e likuidimit të sistemit kolonial e triumfit të komunizmit.
Dhe e dyta, lidhur ngushtë me këtë përkufizim të epokës së sotme:
Denoncohej veprimtaria agresive e shtypëse e imperializmit sidomos atij amerikan, dhe në mënyrë të veçantë përgatitjet e tij për luftë, përfshirë një Luftë të Tretë Botërore, për shembjen e sistemit socialist dhe mbytja e luftërave nacional-çlirimtare të popujve të shtypur etj. Theksohej rreziku i vlerësimit të forcës së imperializmit e kapitalizmit para presionit e shantazhit imperialist.
Faleminderit Profesor!
Faleminderit juve!

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›