Kriza në eurozonë rrit vlerën e lekut
Një euro është këmbyer dje në tregun e lirë të valutës me 138.2 lekë në shitje dhe 137.9 në blerje. Ekspertë në agjencitë e këmbimit valutor dhe në banka thanë se, investitorët kanë humbur besimin tek euro dhe kanë rritur konvertimet në lekë
Monedha jonë kombëtare, leku, është vlerësuar ditët e fundit në tregun vendas të këmbimit për shkak të frikës që ka pushtuar eurozonën për qëndrueshmërinë e saj dhe, për rrjedhojë, edhe ekzistencën e euros. Si rezultat i kësaj situate, një euro është këmbyer dje në tregun e lirë të valutës me 138.2 lekë në shitje dhe 137.9 në blerje. Ekspertë në agjencitë e këmbimit por edhe në banka pohojnë se investitorët, bankat dhe kompanitë e mëdha kanë rritur blerjet e lekut, duke lënë euron. Kjo tendencë e ditëve të fundit, në fakt ka ndikuar në rritjen e vlerës së lekut, i cili pa këtë shkak duhet të kishte një vlerë më të ulët. Kohët e fundit, vendi ka nisur importin masiv të energjisë me 17.5 milionë kilovat/orë në ditë, çka do të thotë se, në një periudhë të zakonshme do të ndikonte ndjeshëm në rritjen e vlerës së euros në tregun vendas, për shkak se energjia importohet në këtë valutë. Mirëpo edhe më këtë presion që ka leku nga importi i lartë, frika që ka pushtuar investitorët po çon në rënie pikiatë të euros ditët e fundit. Në fakt, për herë të parë këto vitet e fundit leku ndihet ‘komod’, si në këmbim me dollarin, po ashtu edhe me euron. Leku është vlerësuar edhe kundrejt valutës së gjelbër, për shkak se rënia e saj në tregjet ndërkombëtare ka vijuar këto ditë, pasi bankat qendrore kryesore të botës ulën me 0.5 koston e USD-së për të çliruar në këtë mënyrë likuiditet në treg. Dollari ka kushtuar dje me 103 lekë në shitje, nga 105 që ka qenë një javë më parë. Vetëm një ditë më parë edhe Banka e Shqipërisë e ka ulur normën bazë të interesit për lekun, duke e çuar atë në nivelin 4.75 për qind. Por në fakt, tregjet kanë reaguar për të kundërtën, duke bërë që monedha vendase të forcojë në mënyrë të përshpejtuar vlerën, të paktën në tregun e këmbimit në raport me valutat. Lajmet që euro është me ditë, duket se i kanë frikësuar investitorët, të cilët kanë ndryshuar sjelljen. Frika në tregun shqiptar të këmbimeve, në fakt erdhi pas lajmeve se bankat po përgatisin planet e urgjencës në rast të një falimentimi të mundshëm të eurozonës. Alarmi i lëshuar nga analistët thekson se kriza financiare e eurozonës ka hyrë në një fazë të rrezikshme. Nëse Banka Qendrore Europiane nuk do të ndërhyjë për të ndihmuar në ato fusha ku politikanët kanë dështuar, shkatërrimi i eurozonës është më se i mundshëm”. Zyrtarët e disa prej bankave më të mëdha të Britanisë së Madhe si, “Royal Bank of Scotland”, kanë deklaruar se institutet kryesore financiare të vendit po përgatisin plane urgjence për t’i bërë ballë shembjes së mundshme të eurozonës. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, autoritetet e rregullimit kanë nxitur bankat, midis të cilave, “Citigroup”-in, të ulin ekspozimin e tyre drejt zonës ‘euro’. “New York Times” ka cituar se, bankat në Francë dhe Itali nuk po përgatisin ndonjë plan të mundshëm urgjence, sepse nuk e kanë konsideruar idenë e një falimentimi të mundshëm të eurozonës. Nga ana tjetër, “TUI”, gjiganti i turizmit gjerman, së fundmi i ka dërguar një letër rrjetit zinxhir në Greqi, ku i ka kërkuar që, kontratat të ridiskutohen në dhrahmi, për t’i mbrojtur nga humbjet nëse Greqia do të dilte nga eurozona. Në tregjet ndërkombëtare, një euro kushtonte dje 134 dollarë.